Filozofi

Fill pas Instalimit

Software-i i arrirë duhet të funksionojë me pak formësim dhe rregullim. WordPress-i është konceptuar t’ju lejojë ta xhironi plotësisht funksional në jo më shumë se pesë minuta. S’ka pse të bëni luftë që të mund të përdorni funksionet bazë të WordPress-it.

Përpiqemi fort që çdo hedhje në qarkullim të jetë në pajtim me këtë filozofi. Kërkojmë të ketë sa më pak hollësi teknike që të mundet gjatë procesit të rregullimit, si dhe në furnizim shpjegimesh të plota të çfarëdo gjëje që bëjmë.

Konceptim për Shumicën

Shumica e përdoruesve të WordPress-it s’kanë prirje teknike. Nuk dinë se ç’është AJAX-i, as u bëhet vonë se cilin version të PHP-së po përdorin. Përdoruesi mesatar i WordPress-it thjesht dëshiron të jetë në gjendje të shkruajë pa probleme ose ndërprerje. Këta janë përdoruesit për të cilët e konceptojmë software-in, ngaqë në fund të fundit këta janë ata që do të shpenzojnë shumicën e kohës duke e përdorur për çka qe ndërtuar.

Vendime, jo Mundësi

Kur merren vendime, këta janë përdoruesit që kemi në mendje pikësëpari. Një shembull i goditur i kësaj janë mundësitë e software-it. Sa herë që i jepni një përdoruesi një mundësi, i kërkoni praktikisht të marrë një vendim. Kur një përdoruesi nuk i bëhet vonë, ose nuk e kupton mundësinë, kjo tek e fundit shpie në bezdisje. Si programues, ne ngandonjëherë kemi përshtypjen se dhënia e mundësive për gjithçka është gjë e mirë, s’mund të keni kurrë mundësi të mjaftueshme, apo jo? Në fund pastaj, këto zgjedhje përfaqësojnë zgjedhje teknike, zgjedhje për të cilat përdoruesi mesatar nuk ka interes. Është detyra jonë si programues të marrim vendime të mençura në konceptim dhe të shmangim hedhjen e barrës së zgjedhjeve teknike mbi përdoruesit tanë.

Clean, Lean, and Mean

Baza e WordPress-it do të furnizojë përherë një grup të qëndrueshëm veçorish bazë. Është konceptuar të jetë e hajthët dhe e shpejtë dhe kështu do të mbesë gjithmonë. Na pyesin pa ndërprerje se “kur do të krijohet veçoria X” ose “pse shtojca Y nuk është pjesë e integruar e bazës”. Rregulli praktik është që baza duhet të furnizojë veçori që vlerësohen dhe përdoren nga 80% ose më tepër e përdoruesve. Nëse versioni i ardhshëm i WordPress-it vjen me një veçori që shumica e përdoruesve duan ta çaktivizojnë në vend, ose mendojnë se s’do ta përdorin kurrë, i bie ta kemi shkelur. Nëse i qëndrojmë besnikë parimit të 80%-shit, kjo s’duhet të ndodhte kurrë.

Këtë jemi në gjendje ta bëjmë, sepse kemi një sistem temash grafike dhe shtojcash shumë të aftë dhe një bashkësi zhvilluesish fantastike. Persona të ndryshëm kanë nevoja të ndryshme, dhe pasja e numrit të konsiderueshëm të shtojcave dhe temave cilësore WordPress u lejon përdoruesve ta përshtatin instalimin e tyre sipas shijes së secilit. Kjo duhet t’u lejojë krejt përdoruesve të gjejnë 20% e mbetur dhe t’i bëjnë krejt veçoritë e WordPress-it ato që vlerësojnë dhe përdorin.

Përpjekja për Thjeshtësi

Nuk mbarojmë kurrë me thjeshtësinë. Me çdo hedhje në qarkullim, duam ta bëjmë WordPress-in më të lehtë në përdorim. Kemi një historik të bukur të kësaj, nëse s’na besoni, thjesht hidhuni një sy ndoca versioneve të dikurshëm të WordPress-it!

Në hedhjet e dikurshme në qarkullim kemi ndërmarrë hapa të mëdha për të përmirësuar lehtësinë në përdorim dhe për t’i bërë përfundimisht gjërat më të thjeshta për t’u kuptuar. Një shembull i goditur i kësaj janë përditësimet e software-it bazë. Përditësimi dikur ishte punë e mundimshme që duhej bërë dorazi dhe shumë e ngatërruar për mjaft nga përdoruesit tanë. Vendosëm të përqendrohemi mbi këtë dhe e thjeshtuam deri te kryerja me një klikim të vetëm. Tani gjithkush me një instalim të WordPress-it mund të kryejë përditësime me një klikim, si të bazës së WordPress-it, ashtu edhe të shtojcave dhe temave.

Na pëlqen t’i shtrojmë sfida vetes dhe ta thjeshtojmë punën sipas mënyrash që janë pozitive për punën e përdoruesit të përgjithshëm të WordPress-it. Çdo version i WordPress-it duhet të jetë më i lehtë dhe më i pëlqyeshëm në përdorim se i mëparshmi.

Afatet S’janë Arbitrare

Afatet s’janë arbitrare, ato përfaqësojnë një premtim që i bëjmë vetes dhe përdoruesve tanë i cili na ndihmon t’i vëmë fre vetes në mundësitë e pafundme të gjërave që mund të jenë pjesë e çdo hedhjeje në qarkullim. Synimi ynë është të hedhim në qarkullim tri versione të rëndësishëm në vit, ngaqë përmes provash dhe gabimesh kemi parë se kjo përfaqëson një drejtpeshim të volitshëm mes futjes së gjërave të lezetshme në çdo hedhje në qarkullim dhe jo aq shumë sa të përfundojmë duke prishur gjëra më shumë se sa shtojmë.

Afate të goditura, thuajse përherë, ju bëjnë të qethni diçka nga një hedhje në qarkullim. Kjo s’është gjë e keqe, për këtë punë janë menduar.

Rruga e anulimit të një hedhjeje në qarkullim, për hir të një veçorie më shumë, e bën procesin lesheli. E ndoqëm një herë për më shumë se një vit, dhe s’qe e pëlqyeshme për askënd.

Sa më të shpeshta dhe të rregullta të jenë hedhjet në qarkullim, aq më pak rëndësi ka për një veçori të dhënë të jetë pjesë e kësaj hedhjeje në qarkullim. Nëse s’arrin në këtë, do të kalojnë veçse pak muaj deri te tjetra. Kur hedhjet në qarkullim bëhen të paparashikueshme ose pak dhe larg njëra nga tjetra, ka më tepër trysni për të provuar të rraset në të edhe një gjë tjetër, ngaqë do të duhet të kalojë një kohë e gjatë para të ardhshmes. Vonesa pjell vonesë.

Pakica e Zëshme

Ka një rregull të thjeshtë praktik brenda kulturës internetore, të quajtur rregulli i 1%-shit. Sipas tij, “numri i njerëzve që krijojnë lëndë në internet përfaqëson afërsisht 1% (ose më pak) të njerëzve që e shohin faktikisht atë lëndë”.

Pra, teksa e konsiderojmë vërtet të rëndësishme të dëgjojmë dhe t’u përgjigjemi atyre që postojnë përshtypje dhe shtrojnë mendimet e tyre në forume, ata përfaqësojnë vetëm një pjesë të vockël të përdoruesve tanë. Kur merren vendime se si të ecet përpara me versionet e ardhshme të WordPress-it, përpiqemi të tërheqim më shumë ata përdorues që nuk janë kaq të zëshëm <em>online</em>. Këtë e bëjmë duke u takuar dhe folur me përdoruesit gjatë WordCamp-esh anembanë rruzullit. Kjo na jep një kuptim më të drejtpeshuar dhe tek e fundit na lejon të marrim vendime më të mira për këdo teksa ecim përpara.

Deklarata Jonë e të Drejtave

WordPress-i licencohet sipas General Public License (GPLv2 ose të mëvonshëm) e cila furnizon katër liri bazë, konsiderojeni këtë si “deklarata e të drejtave” në WordPress:

  • Liria për ta xhiruar programin, për çfarëdo qëllimi.
  • Liria për të studiuar se si funksionon programi dhe për ta ndryshohet që ta bëni të kryejë ç’të doni.
  • Liria për të rishpërndarë kopje.
  • Liria për t’u shpërndarë të tjerëve kopje të versioneve tuaja të modifikuara.

Pjesë e këtyre domosdoshmërive të licencimit përfshin licencimin e veprave të rrjedhura ose gjërave që lidhen me funksione bazë të WordPress-it (të tilla si tema, shtojca, etj.) po ashtu nën GPL, duke u transmetuar kështu të tjerëve lirinë për përdorimin po ashtu të këtyre veprave.

Sigurisht që ka nga ata që do të rreken t’i anashkalojnë këto ideale dhe të kufizojnë lirinë e përdoruesve të tyre duke u përpjekur të gjejnë të çara ose të anashkalojnë në një farë mënyre qëllimin e licencimit të WordPress-it, që është garantimi i lirisë së përdorimit. Besojmë se bashkësia si e tërë do të shpërblejë ara që përqendrohen në përkrahjen e këtyre lirive të licencimit, në vend se të atyre që përpiqen t’u shmangen atyre.

Bashkësia WordPress duhet të vërë në dukje që liritë te GPL-ja ndihmojnë të jepet <em>software</em> i cilësisë së lartë.