Me sajte WordPress.org (kolektivisht “WordPress.org” në këtë dokument) u referohemi sajteve të strehuar në WordPress.org, WordPress.net, WordCamp.org, BuddyPress.org, bbPress.org, dhe të tjera përkatësi dhe nënpërkatësi të lidhura me to. Këto rregulla privatësie përshkruajnë se si i përdor dhe i mbron WordPress.org-u çfarëdo të dhënash që na jepni. Jemi të përkushtuar për të garantuar që privatësia juaj të jetë e mbrojtur. Nëse na furnizoni të dhëna personale përmes WordPress.org-ut, mund të jini të qetë se do të përdoren vetëm në përputhje me këtë deklaratë mbi privatësinë.
Vizitorë Sajtesh
Si shumica e operatorëve të sajteve, WordPress.org-u grumbullon të dhëna që s’identifikojnë personin, të llojit që lejojnë zakonisht shfletuesit dhe shërbyesit, bie fjala, lloj shfletuesi, parapëlqime gjuhe, sajt të referuar, si dhe datën dhe kohën e çdo trokitjeje nga vizitori. Qëllimi i WordPress.org-ut në mbledhjen e të dhënave që s’identifikojnë personin është të kuptojë më mirë se si e përdorin sajtin vizitorët e WordPress.org-ut. Kohë pas kohe, WordPress.org-u mund të japë të dhëna që s’identifikojnë personin, në grumbull, p.sh., duke botuar një raport mbi prirjet e përdorimit të sajtit të vet.
WordPress.org mbledh gjithashtu të dhëna që identifikojnë personin, të tilla si adresa Protokolli Internet (IP). Por WordPress.org-u s’i përdor të dhëna të tilla për identifikim të vizitorëve të vet, as i bën publike, hiq rastet në rrethana të njëjta nën të cilat përdor dhe bën publike të dhëna që identifikojnë personin, siç përshkruhet më poshtë.
Grumbullim të Dhënash që Identifikojnë Personin
Disa vizitorë te WordPress.org zgjedhin të ndërveprojnë me WordPress.org-un në rrugë të cilat lypin që WordPress.org të mbledhë të dhëna që identifikojnë personin. Sasia dhe lloji i të dhënave që WordPress.org-u grumbullon varet nga karakteri i ndërveprimit. Për shembull, ne u kërkojmë vizitorëve që përdorin forumet tanë të japin një emër përdoruesi dhe një adresë email.
Në çdo rast, WordPress.org grumbullon të dhëna të tilla vetëm për aq sa është e nevojshme apo e përshtatshme për përmbushjen e qëllimit të ndërveprimit të vizitorit me WordPress.org-un. WordPress.org s’jep të dhëna që lejojnë identifikim personal veç se si përshkruhet më poshtë. Dhe vizitorë munden gjithmonë të mos pranojnë të japin të dhëna që lejojnë identifikim personal, me kleçkën që kjo mund t’u pengojë kryerjen e disa veprimtarive në sajt, f.v., blerjen e një bilete për në WordCamp.
Krejt të dhënat e mbledhura në WordPress.org do të trajtohen në pajtim me legjislacionin GDPR.
Mbrotje e Disa të Dhënave që Identifikojnë Personin
WordPress.org u jep të dhëna që mund të lejojnë identifikim personal dhe të dhëna që lejojnë identifikim personal vetëm atyre përgjegjësve, nëpunësve, kontraktorëve dhe enteve bashkëpunëtore të projektit të cilëve (i) u duhet t’i njohin këto të dhëna që të mund t’i përpunojnë në emër të WordPress.org-ut apo të furnizojnë shërbime të passhme përmes WordPress.org-ut, dhe (ii) që kanë rënë dakord të mos ua japin të tjerëve. Disa prej këtyre nëpunësve, kontraktorëve dhe enteve bashkëpunëtore mund të gjenden jashtë vendit tuaj; duke përdorur WordPress.org-un, jepni miratimin që të dhëna të tilla t’u transferohen atyre.
WordPress.org nuk do të shesë apo japë me qera për askënd të dhëna që mund të lejojnë identifikim personal dhe të dhëna që lejojnë identifikim personal. Përveç se për përgjegjës, nëpunës, kontraktorë dhe ente bashkëpunëtore të projektit, siç përshkruhet më sipër, WordPress.org jep të dhëna që mund të lejojnë identifikim personal dhe të dhëna që lejojnë identifikim personal vetëm kur është i detyruar nga ligji ta bëjë këtë, nëse jepni leje që të dhënat tuaja të ndahen me të tjerë, ose kur WordPress.org beson sinqerisht se një dhënie e tillë është logjikisht e domosdoshme për mbrojtjen e pronësisë apo të drejtave të WordPress.org-ut, palëve të treta, apo të publikut në përgjithësi.
Nëse jeni një përdorues i regjistruar i një sajti WordPress.org dhe keni dhënë një adresë email, WordPress.org me raste mund t’ju dërgojë një email për t’ju njoftuar rreth veçorish të reja, t’ju ftojë të jepni përshtypjet tuaja, ose thjesht për t’ju mbajtur në dijeni se ç’bëhet me WordPress.org-un dhe produktet e tij. Për të komunikuar këto lloj informacionesh, përdorim kryesisht blogun tonë, ndaj presim që ky lloj email-esh të mbahet në minimum.
Nëse na dërgoni një kërkesë (për shembull përmes një email-i për asistencë ose përmes mekanizmave tanë për tërheqjen e përshtypjeve), rezervojmë të drejtën e botimit të tij për të mundur të ndihmojmë veten në qartësimin e ose përgjigjen për kërkesën tuaj, ose si ndihmë ndaj nesh për t’u ofruar asistencë përdoruesve të tjerë. WordPress.org-u merr të gjitha masat logjikisht të nevojshme për mbrojtjen nga hyrje, përdorime, ndryshime ose asgjësime të pa-autorizuara të të dhënave që potencialisht mund të identifikojnë personin dhe të dhënave që e identifikojnë personin.
Përdorim i të dhënave personale
Të dhënat që furnizoni i përdorim për regjistrim llogarish, pjesëmarrje në veprimtaritë tona, për të marrë buletine, për të përdorur disa shërbime të tjera, ose për të marrë pjesë në projektin WordPress me burim të hapur përmes çfarëdo rruge tjetër.
Nuk do t’i shesim apo japim me qera të dhënat tuaja persona te palë të treta, veç në paçim lejen tuaj apo na kërkohet nga ligji për ta bërë këtë.
Do të donim t’ju dërgonim herë pas here email-e marketingu që mund të jenë me interes për ju. Nëse keni lejuar marketing, mund të zgjidhni pengimin më vonë.
Keni të drejtë në çfarëdo kohe të na ndaloni të lidhemi me ju për qëllime marketingu. Nëse s’doni të lidhemi me ju për qëllime marketingu, ju lutemi, klikoni mbi lidhjen e shpajtimit në fund të email-it.
Baza ligjore për përpunimin e të dhënave personale
Bazohemi në një ose disa prej kushteve të përpunimit që vijojnë:
- interesat tona legjitime në shpërndarjen me efikasitet të të dhënave dhe shërbimeve për ju;
- pranimin shprehimisht që keni dhënë;
- detyrime ligjore.
Hyrje në të dhënat
Gëzoni të drejtën të kërkoni një kopje të të dhënave që mbajmë rreth jush. Nëse do të donit një kopje të disa apo krejt të dhënave tuaja personale, ju lutemi, ndiqni udhëzimet në fund të këtyre rregullave.
Krejt të dhënat e furnizuara nga pjesëmarrës në një WordCamp mund të shihen dhe ndryshohen nga pjesëmarrësi përmes URL-së së Token-it të Hyrjes që i është dërguar me email për ripohim të blerjes së suksesshme të një bilete.
Llogaritë e përdoruesve në WordPress.org mund të përpunohen duke ndjekur këto hapa:
- Vizitoni https://login.wordpress.org/, dhe jepni emrin tuaj të përdoruesit dhe fjalëkalimin.
- Do të ridrejtoheni për te https://profiles.wordpress.org/emri_juaj_i_përdoruesit.
- Klikoni mbi lidhjen “Përpunoni” në krah të emrit tuaj të përdoruesit.
Nëse do të donit të kërkoni hyrje në të dhënat tuaja, ju lutemi, ndiqni këto hapa:
- Vizitoni https://wordpress.org/about/privacy/data-export-request/.
- Jepni adresën tuaj email.
- Klikoni mbi “Pranoje Deklaratën dhe Kërko Eksportim”.
Shënim: Nëse keni një llogari te WP.org, këshillohet që të bëni hyrjen në të, përpara se të parashtroni, që kërkesa të përshoqërohet me llogarinë tuaj.
Mbajtje të dhënash personale
Të dhënat tuaja personale në sistemin tonë do t’i mbajmë vetëm për aq kohë sa na duhen, për suksesin e projektit WordPress me burim të hapur dhe programeve që ndihmojnë WordPress.org. Të dhëna kontakti (të tilla si të dhëna për listat e postimeve) i mbajmë derisa një përdorues shpajtohet ose kërkon që të fshijmë ato të dhëna nga sistemet tona <em>live</em>. Nëse vendosni të shpajtoheni prej një liste postimesh, mund të mbajmë disa të dhëna të kufizuara rreth jush, në mënyrë që të respektojmë kërkesën tuaj.
WordPress.org s’do të fshijë të dhëna personale prej regjistrash apo regjistrimesh të nevojshme për funksionimin, zhvillimin apo arkivat e projektit WordPress me burim të hapur.
WordPress.org do të mbajë për 3 vjet të dhëna pjesëmarrësish në një WordCamp, për të ndjekur dhe ushqyer më mirë rritjen e bashkësisë, dhe mandej do të fshijë automatikisht të dhëna jothelbësore të mbledhura përmes regjistrimesh. Emrat dhe adresat email të pjesëmarrësve do të mbahen pa afat, për të ruajtur aftësinë tonë t’u përgjigjemi raportimeve të lidhura me kodin e sjelljes.
Në sajte WordCamp.org, të dhënat bankare/financiare të mbledhura si pjesë e kërkesave për rimbursime fshihen nga WordCamp.org 7 ditë pasi kërkesës t’i jetë vënë shenjë si e paguar. Arsyeja për periudhën shtatëditore të mbajtjes është të shmanget nevoja për organizatorët t’u duhet t’i rijapin hollësitë bankare, në rast se një dërgesë tradicionale dështon, apo nëse një kërkese rimbursimi iu vu gabimisht shenjë si “E paguar”. Faturat dhe dëftesat e lidhura me shpenzimet e një WordCamp-i mbahen për 7 vjet pas mbylljes së bilancit financiar të vitit kalendarik, sipas udhëzimeve të këshilltarëve tanë financiarë (revizorë & llogaritarë).
Kur fshirja kërkohet nga ju, ose është e detyrueshme, ne do t’i anonimizojmë subjektet e të dhënave dhe/ose heqim informacionin prej sajtesh në të cilët mund të hyhet publikisht, nëse fshirja e të dhënave do të nxirrte jashtë përdorimit sisteme të domosdoshëm ose do të dëmtonte regjistrat dhe regjistrimet e nevojshme për funksionimin, zhvillimin, apo regjistrimet arkivore të projektit WordPress me burim të hapur.
Nëse do të donit të kërkonit fshirjen e llogarisë tuaj dhe të dhënat përshoqëruara asaj, ju lutemi ndiqni këto hapa:
- Vizitoni https://wordpress.org/about/privacy/data-erasure-request/.
- Jepni adresën tuaj email.
- Klikoni “Pranoje Deklaratën dhe Kërko Fshirje Përfundimtare të Llogarisë”.
Shënim: Nëse keni një llogari te WP.org, këshillohet që të bëni hyrjen në të, përpara se të parashtroni, që kërkesa të përshoqërohet me llogarinë tuaj.
Të drejta të lidhura me të dhënat tuaja
Mund të keni disa të drejta sipas ligjeve për mbrojtjen e të dhënave, në lidhje me të dhënat personale që mbajmë rreth jush. Në mënyrë të veçantë, mund të keni të drejtën:
- të kërkoni një kopje të të dhënave personale që mbajmë rreth jush;
- të kërkoni që të përditësojmë të dhënat personale që mbajmë rreth jush, ose të ndreqni në mënyrë të pavarur të dhëna të tilla personale që mendoni se janë të pasakta ose jo të plota;
- të kërkoni që të fshijmë të dhëna personale që mbajmë rreth jush nga sistemet <em>live</em>, ose të kufizojmë mënyrën sipas të cilës përdorim të dhëna personale të tilla (për informacion mbi fshirjen prej arkivash, shihni ndarjen “Mbajtje të dhënash personale”);
- të kundërshtoni përpunimin tonë të të dhënave tuaja personale; dhe/ose
- të tërhiqni miratimin tuaj mbi përpunimin që u bëjmë ne të dhënave tuaja personale (për deri atje ku një përpunim i tillë bazohet në miratimin tuaj dhe miratimi është e vetmja bazë e lejueshme për përpunimin).
Nëse doni të ushtroni këto të drejta apo të kuptoni nëse kanë vend mbi ju, ju lutemi, ndiqni udhëzimet në fund të kësaj deklarate mbi Privatësinë.
Lidhje Nga Palë të Treta
Sajti ynë mund të përmbajë lidhje për te sajte të tjerë, të furnizuara nga palë të treta jashtë kontrollit tonë. Kur ndiqni një lidhje dhe jepni të dhëna në një sajt palësh të treta, ju lutemi, jini në dijeni që s’kemi përgjegjësi për të dhënat furnizuar te ajo palë e tretë. Këto rregulla privatësie zbatohen vetëm te sajtet e radhitur në fillimin e këtij dokumenti, ndaj kur vizitoni sajte të tjerë, madje edhe kur klikoni mbi një lidhje të postuar në WordPress.org, do të duhej të lexonit rregullat e tyre mbi privatësinë.
Statistika të Grumbulluara
WordPress.org-u mund të grumbullojë statistika rreth sjelljes së vizitorëve në sajtet e tij. Për shembull, WordPress.org mund të bëjë të ditur se sa shkarkime pati një version i caktuar, ose të thotë se cilat shtojca janë më populloret, bazuar në të dhëna të grumbulluara nga api.wordpress.org
, një shërbim web i përdorur nga instalimet WordPress për të kontrolluar për versione të reja të WordPress-it dhe shtojcave. Sidoqoftë, WordPress.org-u nuk bën publike të dhëna që identifikojnë personin, veç atyre siç përshkruhet në këto rregulla.
Cookies
Veç kësaj, të dhëna rreth se si e përdorni sajtin tonë grumbullohen automatikisht përmes cookie-sh. Cookie-t janë kartela tekst të vendosura në kompjuterin tuaj për të grumbulluar të dhëna regjistrimesh internet standard dhe të dhëna mbi sjelljen e vizitorëve. Këto të dhëna përdoren për të ndjekur përdorimin e sajtit nga vizitorët dhe për të përpiluar raporte statistikore mbi veprimtarinë në sajt.
Për më tepër të dhëna se cilat cookies grumbullohen në WordPress.org, ju lutemi, shihni rregullat tona mbi cookie-t.
Ndryshime Rregullash Privatësie
Edhe pse pjesa dërrmuese e ndryshimeve ka gjasa të jenë të vogla, WordPress.org mund të ndryshojë Rregullat e Privatësisë kohë pas kohe, dhe vetëm sipas qejfit të WordPress.org-ut. WordPress.org i nxit vizitorët ta shohin vazhdimisht këtë faqe për çfarëdo ndryshimesh të Rregullave të Privatësisë. Vazhdimi i përdorimit të këtij sajti pas çfarëdo ndryshimesh te Rregullat e tij të Privatësisë do të përbëjë pranimin tuaj të këtyre ndryshimeve.
Kontakt
Ju lutemi, nëse keni çfarëdo pyetjeje mbi rregullat tona të privatësisë apo të dhënat që mbajmë për ju, lidhuni me ne duke na shkruar te dpo@wordpress.org.