Datë 27.10.2014

Gazeta Mapo

Intervistë me Arlinda Gumën, autoren e “Bulevardit të Yjeve”, e cila thotë se i duhet “një stinë e pestë” për t’i mundësuar jetë jashtë vitrinave librit të saj 

10743796_10203070360105449_1554219101_nPërshtypja e parë e fortë që merr ndërsa lexon Bulevardin e Yjeve është mënyra se si përmbysen jetët e personazheve, se si kthehen kokëposhtë ditët, si gjithçka normale bëhet e çmendur dhe çmenduritë bëhen rutinë e përditshme. Arlinda Guma thotë se “i mjaftoi kjo çmendina e madhe që kemi këtu jashtë…”, për të shkruar një roman që rrotullohet rreth një spitali psikiatrik, një grupi pacientësh e njerëzve të lidhur me ta brenda e jashtë spitalit. Një histori që herë bëhet e trishtë në dëshpërim e herë të tjera është sarkastike dhe ironike. E megjithatë, romani është plot me emocione dhe përmbysje të tyre.

– Çfarë do të thotë të jesh shkrimtar i ri në Tiranë?

Të jesh shkrimtar i ri në Tiranë, është një mynxyrë e vërtetë. Pjesa më e vështirë këtu, për mua nuk është të shkruash një libër, pjesa më e vështirë është të të duhet të negociosh me gjithfarë botuesish. Për një arsye të tillë, “Bulevardin e Yjeve” jam duke e përkthyer në një gjuhë tjetër, që ruan strukturën e gjuhës shqipe. Do të jetë një sfidë e madhe për mua botimi në një vend jashtë Shqipërisë. Nuk di nëse do t’ia arrij, përveç të tjerash, kjo varet edhe se sa mjeshtëror do të dalë përkthimi, por sidoqoftë, është një sfidë që e dua, pasi vetëm nëpërmjet kësaj mënyre të paanshme do mësoj nëse vërtet ia them për të shkruar. Këtu në Shqipëri, talenti duket gjëja më parëndësishme dhe e panevojshme, përkundruall lobeve e klaneve të ndryshme pseudoartistike, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me artin. E unë nuk jam pjesë e asnjërit prej tyre. Unë kam një lob timin, vetëm me një anëtar; veten time. Shqipëria është një vend mrekullibërës për njerëzit që duan të realizohen me mënyra alternative, nëpërmjet njohjeve të duhura, parasë, nepotizmit, por është një vend që ta përplas fort kokën pas murit (dhe më besoni, të mbeten mjaft shenja nga kjo përplasje) nëse kërkon të ngrihesh me mënyra të pastra, vetëm nëpërmjet aftësive të tua. Një gazetare, e cila me nismën e saj i kushtoi një shkrim romanit tim në një revistë, e quajti “Bulevardin e Yjeve”, një roman “të papërkëdhelur”. Nuk e njoh këtë gazetare personalisht, por përfitoj nga rasti ta falenderoj publikisht, sepse është e vërtetë; “Bulevardi i Yjeve” ka qenë një libër fare i papërkëdhelur dhe i papërkrahur. “Bulevardi i Yjeve” ka dalë në librari në stinën e verës dhe nuk është përfshirë në asnjë listë të së ashtuquajturave “leximeve verore”, me justifikimin e pakuptimtë se nuk është një libër që mund të lexohet në verë! Me ç’duket, nuk është mjaftueshëm i cekët, idiot dhe rozë, sa për t’u lexuar në këtë stinë. Sepse duhet “të të mbysë cektina” që të rekomandohesh prej “nëpunësve të librit”! Imagjinoj se si do jetë kur të vijë stina e dimrit. Jam e sigurt që do thonë se nuk është as për dimër. E kështu romani im “i papërkëdhelur”, druaj se do të mbetet një libër “i pastinë” ose, ose, duhet shpikur një stinë enkas për të. Ndoshta “një stinë e pestë!” Ç’mund të them më? Këtu mosmarrëveshjet kontraktuale zgjidhen ende me fjalinë magjike: – A ke ndonjë tip të fortë? Sidoqoftë, më duhet të them me kënaqësi se “Bulevardi i Yjeve” e ka patur një përkrahje të vetme; atë të lexuesit, e cila, nga të gjitha llojet përkrahjeve, më duket më e vërteta, më dinjitozja dhe më e ndershmja.

– Në roman duket se “e keni kapur” me gazetarinë (gazetarinë rozë), cilat janë arsyet e kësaj qasjeje, jo fort dashamirëse, në një botë që, përgjithësisht, lexon letërsi rozë.

Unë nuk “e kam kapur” aspak me gazetarinë rozë. Unë jetoj edhe vetë në këtë botë, ku siç e thatë edhe ju, përgjithësisht lexon gazetari rozë, edhe pse vetë, kam një qëndrim mjaft të rezervuar ndaj kësaj gazetarie/letërsie. Megjithatë më duhet të theksoj se në letërsi unë jam disi më e butë seç jam gjatë ndonjë artikulli, (ndoshta  provokues si një “dron”), që kam publikuar në ndonjë gazetë. Kam një personazh në roman, i cili ka pikërisht këtë profesion; është “kronikani rozë” apo “gazetari L.E”, siç përmendet në roman, akustikën e emrit e të cilit, në promovim, recensenti e krahasoi  nëpër ca nota origjinale humori, me një targë makine. (këtu duhet ndoshta një nga ato fytyrëzat e buzëqeshura) “Kronikani rozë” është edhe një prej personazheve më të dashur, për mua dhe për lexuesit e mi, sipas përshtypjeve që këta të fundit më kanë shkruar. Dëshmia që unë nuk “e kam kapur” me gazetarinë rozë, është pikërisht fakti që ky personazh pëson një transformim të bukur përgjatë rrjedhës së romanit. Kështu që mund të themi  pa frikë se ka jetë edhe përtej kësaj paló gazetarie/letërsie.  Uh, e thashë më në fund! (edhe këtu një fytyrëz e buzëqeshur)

10687024_525056677631222_8911972410512191242_n– A keni ndonjë vend në Tiranë ku mund të frymëzoheni për të shkruar?

Diçka ma bën cëzzz këtu te balli kur ju përmendni këtë fjalë “të frymëzoheni”. Nëse do më duhet të përdor një shprehje tuajën, disa pyetje para kësaj: – Po, mund të them se “e kam kapur” me këtë fjalë. Më duket sikur që në fillim, atëherë kur “e para ishte fjala”, e krijuan ata shkrimtarët sharlatanë, të cilët, meqë nuk qullosnin gjë me letërsinë e tyre, përpiqeshin të tërhiqnin vëmendje me efekte speciale të llojit; shpupuritje flokësh model Anjshtajn, ngritje psikopatike “të frymëzueshme” prej gjumit në mes të natës për të shkruar, meqë gjatë ditës qenë të zënë duke krehur veten në pasqyrë… etj. Madje, madje, do propozoja “një polici gjuhësore” që këtë fjalë “frymëzohem” ta heqë nga përdorimi i përditshëm kur flitet për praktikën e punës së një shkrimtari. E stërpërdorur vend e pa vend, ngjan si një rreckë e vjetër, e lodhur dhe e dalëboje… Ndoshta shkrimtarët që e krijuan, mund të jenë pikërisht edhe shkaku që unë, kur më ftojnë në ndonjë emision, refuzoj të më shkruajnë poshtë emrit me titra: “shkrimtare”. Ky është edhe një nga shpjegimet e shumta, të vagullta, që i jap unë këtij refuzimi; të pakuptimtë, për shumë njerëz që ngrenë supet… Po ndoshta ky refuzim vjen ngaqë nuk dua të njehësohem me ta dhe “me modelin e tyre”… (Të flokëve… edhe…)

Por, për t’iu kthyer pyetjes. Po, ka një vend, një bar në Tiranë, ku më pëlqen të ulem dhe madje, të mos flas fare. Ka një vend ku më pëlqen të ulem dhe të hesht. Ёshtë një bar me një lulishte dhe pemë, e në periudhën e pranverës, atje çelin bukur manushaqet nëpër bar. Nuk e kam parë në asnjë vend tjetër këtu këtë lloj luleje natyrale që rritet vetëm nëpër gëmusha, dhe pranverën plot shira të këtij viti, e kam frekuentuar barin shpesh, vetëm për këtë arsye. Ka ca ngjyra të mahnitshme, impresioniste, ai kopsht në pranverë. Do doja të merrja kompjuterin dhe të shkruaja atje, por më bezdisin vështrimet e patakta të njerëzve. Duket se është ende e pazakontë të shohin një femër të ulur vetëm në një tavolinë bari. Ashtu siç u duk krejt e pazakontë të vendoseshin fotot e shkrimtareve femra tek posteri me shkrimtarë në ballinën e panairit të pranverës, mbushur plot me fotografi burrash… Atyre u mungonin vetëm ca mustaqe për të qenë ca Hasanër e Halilër të vërtetë, burra zamani, që femrat i pranojnë vetëm kur ato u shërbejnë kokulur, në këmbë si kuajt, si në telenovelat turke…  Mund të them se një ditë marsi, në faturën e atij bari, kam ndërtuar skicën e romanit tim të ardhshëm… Emrin e barit nuk po e përmend, sepse nuk dua që të ma pushtojë barin pastaj ndonjë tip nga ata flokëshpupuriturit, model Anjshtajn. Megjithatë kam edhe një bar tjetër, rezervë, diku pranë lagjes ku banoj, të cilin e  kam ri-zbuluar së fundmi, ndoshta ndonjë ditë do guxoj të marr dhe kompjuterin me vete, nëse “gossipi” përqark nuk do më shqetësojë me kureshtinë e sëmurë.

-Cilat janë motivet që të shtyjnë të shkruash një roman?

Motivi për të shkruar një roman, është vetë dëshira për të lexuar një roman. Për të lexuar një roman, të shkruar, ashtu siç do ta doje ti, e në pamundësi për ta gjetur në atë “frizurë”, vendos një ditë të ulesh e ta shkruash vetë. Të paktën, edhe në rastin më të keq, nëse romani nuk do të ketë sukses, një lexues do ta kesh patjetër; veten tënde. Ndoshta pyetja do të më tingëllonte më e qartë sikur ju të më pyesnit thjesht: – Cilat janë motivet që ju bëjnë të shkruani? Përgjigjen e së cilës po përpiqem ta nxjerr tani prej pavetëdijes sime dhe ta latoj në mënyrë që t’ju jetë e kuptueshme. Unë do e krahasoja të shkruarin me atë gjendjen që merr njeriu kur është i dashuruar. Kur pëson këtë gjendje, ai kalon në një harmoni të vetëmjaftueshme me universin. Të shkruarit, pak a shumë është një dashuri e tillë. Vetëm se këto janë dy dashuri që e përjashtojnë krejtësisht njëra-tjetrën. Kur je i dashuruar, nuk mund të shkruash, dhe kur je duke shkruar, nuk mund të dashurohesh me diçka tjetër jashtë këtij fokusi. E kam fjalën këtu për atë gjendjen që përcjell ajo buzëqeshja; “paksa idiote në fytyrë”, që ka individi i dashuruar, qysh kur zgjohet në mëngjes dhe deri kur në mbrëmje, ende me të, bie të flejë. Ajo dashuria tjetër; letërsia, do të ta fshikullonte mizorisht këtë lloj buzëqeshjeje. Është pak a shumë si ai lloji (krejt i pakuptimtë për mua) i rivalitetit femëror. Të dyja këto dashuri kërkojnë të rrëmbejnë vëmendjen tënde absolute, e të të përfshijnë xhelozisht, duke dashur të përjashtojnë me çdo kusht rivalen tjetër.

– Pse “e gjete veten” në një çmendinë?

Nuk “e gjeta veten”, gjeta vetëm subjektin e romanit tim atje… E për ta shkruar këtë roman, nuk m’u desh ta vizitoja… E kam fjalën, të vizitoja ndonjë spital psikiatrik. Më mjaftoi kjo çmendina e madhe që kemi këtu jashtë…

– Çfarë përfaqëson çmendina për ju?

Çmendina është një provokacion simbolik për shoqërinë jashtë kangjellave të saj, për këtë shoqërinë tonë, ku të gjithë duket se “jemi të shtruar nga pak”… Për stereotipet që shpesh ne normalët ndërtojmë për ata të ndryshmit nga ne, për shpirtrat e lirë, për ata që ecin kundra rrjedhës, idealistët, revolucionarët, Giordano Bruno-t, etj. E thënë përmbledhtaz; për të gjithë ata njerëz që duket se janë jashtë normalitetit tonë “të mërzitshëm”…

– A është Shqipëria (Tirana), çmendina?

Po… edhe jo… Në të vërtetë, ngjarjet në këtë roman nuk janë pozicionuar në ndonjë shtet të caktuar. Ashtu si dhe në shkrimet e mia të mëparshme, personazhet e mi nuk kanë kombësi. Pra romani nuk ka një sfond tipik shqiptar, por, një sfond tipik njerëzor. Ёshtë një qytet, i cili mund të ndodhet në Shqipëri, por mund të ndodhet edhe në Alaskë. Unë nuk e kam përcaktuar se ku, dhe ia kam hequr kujdesshëm të gjithë sfondin identifikues. Ky lloj mospozicionimi më sjell liri gjatë të shkruarit. Ky sfond njerëzor, i papozicionuar gjeografikisht, më duket universal, pavarësisht zhvillimit social-ekonomik, apo dhe politik të një shteti.

– A po përpiqesh të jesh antikonformiste në roman?

Jo! Jo! Dhe Jo! Një autor është ose nuk është antikonformist, të tillë nuk e bën aspak përpjekja për të qenë i tillë. Unë jam një antikonformiste, por jo se po “përpiqem”. Në të vërtete ngaqë kjo natyrë, shpesh më ka sjellë andralla, kohët e fundit, unë po “përpiqem” për të kundërtën, pra të mos jem e tillë, e t’ia zbus disa “cepëza të mprehtë” fare pa dëshirë, për të cilat më thonë se janë gjëja që spikat më shumë në personalitetin tim. Por më kot, siç e thashë dhe më lart; o je, o nuk je antikonformist! I tillë nuk zhbëhesh dot me komandë, me vullnet të lirë, apo “me punë dhe përpjekje”. Kjo puna e përpjekjes për të qenë diçka që ti nuk je në një vepër letrare, apo edhe në jetë, më duket groteske. Më ka thënë dikur një autor: – Unë stërmundohem shumë kur shkruaj! E pashë me habi dhe nuk fola. Desha t’i thosha; – Po atëherë mos shkruaj fare! Të shkruarit nuk mund të jetë kurrsesi një punë, një stërmundim apo një përpjekje. Të paktën për mua nuk është kështu. Unë nuk lodhem prej të shkruarit, përkundrazi, çlodhem prej këtij procesi. Nëse do të ishte një lodhje, një punë, apo një përpjekje, unë kurrë nuk do merrja mundimin të shkruaja.

– Ju keni thënë që kurrë nuk keni vizituar një çmendinë, a ishte e vështirë të shkruaje?

Jo! Aspak. Unë i përmbahem një rregulli të pashkruar, të cilin njerëzit që shkruajnë e njohin mjaft mirë: – Shkruaj për atë që nuk di! Mund të eksplorosh një botë të tërë nëpërmjet kësaj teknike. Kështu që do të mbetem përjetësisht e intriguar prej së panjohurës, asaj ane të qenies njerëzore që nuk arrin ta shpjegojë shkenca. Më pëlqen të shkruaj për të. Në fund, kur mbaroj, dhe ia lexoj vetes, mësoj se si nënvetëdija ime e shpjegon këtë anë të panjohur.

– A mendon se çmendina është ajo që keni shkruar, apo çmendina është thjesht metaforë dhe për këte arsye s’ka pse t’i ngjajë realitetit?

  • Një pikturë në një muze, mund të këtë njëmijë këndvështrime të ndryshme, – ka thënë dikush, të cilit unë nuk ia mbaj mend emrin. Kështu mund të them se është romani “Bulevardi i Yjeve”. Ka kaq shumë degëzime e nëndegëzime atje brenda, ju duhen vetëm ato syzet e përshtatshme e të çuditshme për t’ia gjetur këto anë, njëlloj si në ato kinematë shumëdimensionale. Megjithatë, nëse do përpiqesha t’ju jepja një shpjegim konkret, një lexuesja ime, e cila, për shkak të profesionit, ka bërë praktikën në një spital spikiatrik, më tha kështu kur e lexoi: – E ke shkruar sikur ta kesh vizituar imtësisht një spital të tillë. Por unë nuk do të ndalesha shumë te ana konkrete e këtyre përshtypjeve, pasi unë nuk është se kam shfletuar libra teorikë për të shpjeguar çmendurinë në romanin tim, unë vetëm jam marrë me anën artistike të saj (si dhe atë sociale), dhe më besoni, është një temë që të lejon akrobaci artistike nga më të pabesueshmet në ndërtimin e personazheve, dhe liri, shumë liri…

*Bisedoi Vladimir Karaj