Botuar tek “Gazeta” 25/11/09
(shkrim i parekomandueshëm për lexues me stomakë të dobët)

“Hapim dhe mbyllim varre”, u qesh kalimtarëve një tabelë në anë të njërit prej bulevardëve kryesorë të Tiranës. Më poshtë është shkruar një numër celulari dhe një togfjalësh i futur ngutshëm në kllapa, i cili patjetër duhet të ketë të bëj me ndonjë zbritje çmimi, të llojit, “ofertë”.
Tabela është shkruar me ngjyra optimiste. Çdo fund-viti, ajo zbukurohet me drita shumë-ngjyrëshe (optimiste edhe këto), të cilat fiken e ndizen me rradhë. Po aq me rradhë, fiken e ndizen edhe dritat në xhamat e errët, pas të cilëve reklamohen zakonisht kurora të variacioneve të ndryshme, madhësia e këtyre të fundit, duket se është gjithmonë në varësi të cilësive, jo rrallë-herë, hiperbolike, të klientëve të kompanisë, të cilët, siç dihet, e kanë gjithmonë një herë të parë…
Por të gjitha këto të marra së bashku nuk më çudisin aq sa pjesa e dytë e fjalisë publicitare në tabelë; …dhe mbyllim…
Duket se me gjymtyrën e dytë të fjalisë, shoqëria që garanton shërbimin, si t’ua ketë kuptuar me një të kërcitur të lehtë, të gishtit, paranojat, sikletet dhe frikërat, të afërmve të të ndjerëve, i siguron këta të fundit se ajo i gropos mirë klientët e saj.
– Ju s’duhet të bëni gjë tjetër, përveçse të vdisni… me të tjerat merremi ne, – sikur të garanton tabela me sloganin e saj, promocional. Në dukje është fare e thjeshtë… tek e fundit, – vdekja është e vetmja punë që mund ta bësh i shtrirë, – ka thënë diku Woody Allen.
Një burrë i vjetër me fytyrë të munduar, ka ndalur hapat përballë tabelës dhe rrokjëzon heshturazi përbrenda buzëve të fishkura përbetimin publicitar, si të jetë në një dilemë ekzistenciale; të vdesë këto kohë që ka dhe zbritje çmimi, apo më vonë… Ai mendohet e mendohet me sy të pulitur përgjysëm, thua se është në dilemë për cilësinë e shërbimit…
– Me ne nuk do ta ndieni fare udhëtimin, – sikur buzëqesh gëzueshëm tabela që nga lart, si në një nga ato reklamat, prej të cilave, bota duket gjithmonë një fushë me lule ngjyra-ylberëshe, e njerezia duket aq e dlirë… po aq e dlirë… gati e budallepsur prej dlirësisë.
Burri vazhdon të mendohet…
Në të vërtetë tabela nuk të lë shkas për ekuivoke apo mëdyshje të paparashikuara, si nga ato të çasteve të fundit, ajo e thote qartë, saktë, gëzueshëm madje, që ata, jo vetëm që i hapin por edhe i mbyllin…
Atje ngjituarazi, ndarë vetëm prej një faqeje muri të hollë, i bën gjitonllëk një byrektore. Edhe ajo zbukurohet në fund-vit me drita shumë-ngjyrëshe (optimiste natyrisht) që fiken e ndizen, (me rradhë dhe ato), e me një tabelë ku shkruhet me të njëjtën lyrosje të bollshme ngjyrash; Pranojmë bakllava me porosi, byreqe me mish të grirë, spinaq, qepë etj.
Në dallim nga tabela promocionale e shoqërisë së shërbimeve funerale, tabela e byrektores nuk ka të shkruar ndonjë numër celulari, por ama edhe slogani i saj, publicitar, i menduar kushedi në sa e sa netë të pagjuma, nuk të lë vend për ekuivoke.
Burri i vjetër vazhdon të qëndroje mëdyshas përballë tabelës së funeralëve, ndërsa shitësja e byrektores në kthinën tjetër, e cila ka vetëm një dhëmb kryeneç në gojë, është duke folur me disa nxënës shkollash, të cilët janë duke e pyetur nëse byrekët janë të freskët. Shitësja i siguron ata që byrekët janë të sapo-nxjerrë nga furra. Fëmijët kënaqen. Ata duken kaq të patrazuar për praninë, vetëm një mur më tej, të shërbimit funeral, sa mua fillon të më krijohet, pak nga pak, ndjesia që ky i ashtuquajtur anormalitet gjendet vetëm në kokën time.
Këtë ma përforcon edhe më shumë fakti që burri i moshuar, më në fund, mbasi u ka dhënë fund dilemave të tij, ekzistenciale, vendos të futet në byrektore e të blejë edhe ai dy byrekë… si gjithë të tjerët…
Njëlloj si të tjerëve do ia mbështjellë byrekët, shitësja, me të vetmin dhëmb kryeneç te mbetur në gojë, ndersa burri do marrë rrugën heshturazi, duke u përtypur ngadalë ( bashkë me byrekët do vërtisë nëpër mendje edhe shifrën e discount-it ) derisa, diku më tej, t’i zënë sytë një tjetër ofertë shërbimesh funerale…
Ka kaq shumë çudira në këtë qytet të përgjumë, me ëndrra të paralizuara, të cilin ironikisht, ose jo, vazhdojmë ta thërrasim “metropol”… Në këtë qytet, ku zor se mund të gjesh një banjë publike, por ama, për çdo bulevard, mund të gjesh nga një shërbim funeral… A thua se qëllimi i zyrtarëve të cilët japin leje pa kurrfarë kriteri për biznese të tilla, eshte të n’a kujtojnë që ajo, ( vdekja ) është gjithmonë aty, duke n’a përgjuar me pritjen e saj, të palodhur ? Apo për të n’a kujtuar se duhet të jetojmë çdo dite si ta kemi të fundit ?
Hmm… të ofron kaq shumë shërbime të tilla ky qytet, ashtu siç, panevojshmërisht të ofron; kaq shumë parti… politikanë… analistë… këngëtarë… sa mua më vjen ta quaj; qyteti i një mbi një funeralëve…

©Arlinda G.