Minuta kryeqytetase
28 March, 2009
Këh-Këh…
Pas shpatullave të saj, kollet mekur,
i panjohuri me jakën e palltos ngritur shkujdesur…
ecjaket padurimtaz,
në pritje të dritës së gjelbërt të semaforit…
ndërsa mbi flokët e saj shpështjellë prej kapëses,
rrëzohet kursyer ndriçimi snob i neonëve,
… që hijëzon mëdyshas… mjekrën e tij, të lodhur…
Këh-Këh
Thëllim i nëmur, kryeqytetas,
mbërthen gozhdë të shtrembëruara në kyçe…
e një xham fuoristrade,
i sapopastruar prej një ciganeje,
rrezëllin mëdyshas, siluetat e tyre të zbehta…
Këh-Këh…
Të dy i çikin vështrimet, frikur,
nëpër SOS-in klithës, të vijave të bardha,
e po aq frikur… i largojnë…
Këh-Këh-Këh….
E gjelbërta… vonon…
nën një semafor që çmendet ngjyrash…
ndërsa këmbanat e katedrales, kollitin përtuar,
ca minuta-blice… nga jetët e dy të panjohurve…
© Arlinda G.
Për atë që i bie rruga këtej…
17 March, 2009
Bust gruaje
2 March, 2009
Një bust gruaje, barit humbshëm, rrugëve të ftohura… përndritje e butë Monalize, i bulëzon kurmin pafajësisht, gërsheta diellorë Artemise, i kacavirrin supet, të linjta djallëzore Bovarie i miklojnë kërcinjtë … Të derdhura… e njeheraz; të allçinjta, gjymtyrët e saj zhvendosen pendueshëm, mbështjellë me veshtrime plot triumf, meshkujsh që e patën, e me të tjera… vështrime idhnakësh, të atyre që kurrë s’mundën ta kenë… Në vend të kafkës… ka të gdhendur një kupë… Ajo është një bust pa kokë, një trofe… që barit me shputa të plumbëta, rrugëve të ftohura, nën vështrime ngadhnjyesish… e humbësish idhnakë, meshkujsh që e patën… e të tjerëve që s’mundën ta kenë të gatshëm… të gjithë…. ta mbërthejnë në të parin raft, të dukshëm… © Arlinda G.