Ditar…

9 February, 2009

                        Shënime nga Kina

 Mëngjes.

Ca femijë poshtë pallatit janë duke luajtur “analistësh”.

Ata kanë improvizuar një skenë me dërrasa, e janë rehatur nëpër kolltuqe, (edhe këto te improvizuara), këmbë mbi këmbë, përballë njëri – tjetrit, duke u sharë e u fyer përkatësish, pa e respektuar hierarkinë e ulërimave, e cila në teori duhet të jetë e llojit.; – unë ulëras… ti hesht dhe… anasjelltaz… Ose e llojit unë ulëras… ti kruan fytin tënd…

Po për fat të keq analiza e fëmijëve duket e llojit; – unë ulëras… ti ulëret… asnjë nuk dëgjon… Tek e fundit kanë nga të marrin shembull…

Një radio aty afër shpërhap një lajm te bujshëm; Papa bën apel në you tube; Të rinjtë po krijojnë varësi nga interneti, alarm… virtualiteti i  largon të rinjtë nga jeta reale…

Hmm… dhe këtë alarm, Papa e jep pikërisht nëpërmjet internetit. Mua më vjen ndër mend e njëjta pyetje që ma bëjnë shpesh njerëz të ndryshëm për të disatën herë; – E pabesueshme, si ka mundësi… ti nuk ke face book ? Në të gjitha herët, toni me të cilin shoqërohen pyetjet, është akuzues… Gati – gati të komplekson. Ngjan me tonin e athët të ish –shefes sime, kur më thoshte ndonjë mëngjes ; -Pse të shkëlqen fytyra ? Edhe ajo e  thoshte fjalinë me të njëjtin ton akuzues.

Në të gjitha herët unë ngre supet dhe nuk flas…

Por sot, lajmi i Papës sikur më shkund; – Papa po… e unë jo ? – i them vetes me të njëjtin ton akuzues… e kam përvetësuar mirë këtë të fundit… e dëgjoj kaq shpesh…

Vendos të hap një account në face book… Të bëhet ç’të bëhet… Tek e fundit jetoj në një pallat ku fëmijët luajnë “analistësh” e jo lojë luftash siç luante brezi im dikur.

E hap llogarinë dhe vendos një foto timen te profili.

Pak më tej pendohem dhe e heq.

Kam një ndjenjë të fortë bezdie që foton time mund ta shohin të gjithë, kështu e heq andej, pa një pa dy.

Pastaj mendohem përsëri.

– Dreq o punë. Po sikur ta pres foton ?

E marr foton e shkretë, në fillim i heq flokët, ballin, hundën, gojën, i lë vetëm sytë.

– Kështu nuk njihem fare, – them e   kenaqur.

Pastaj pyes veten.  – Kujt i fshihem, dreqi ta marrë… ? Thua se jam në kërkim…

E kundroj sërish foton

Shkoj tek opsionet dhe mendohem.

– Doni që foton ta shohin frinds-at e frindsa-ve ?

– Jo ç’është ajo fjalë, vetëm frinds-at, – them me vete unë. Befas kujtohem që sapo e kam hapur accountin dhe nuk kam zyrtarisht, asnje friend edhe pse më kanë dërguar shumë ftesa, të cilave unë nuk iu jam përgjigjur.

Nuk di pse në face book ndihem sikur jam në mes të Pekinit.

Mendohem sërish… Më në fund e heq edhe opsionin që  foton ta shohin vetëm frind-sat.

Bëj aty një opsion; Të mos e shohë njeri…

Tani jam e qetë…

Jam e qetë… foton time tani mund ta shoh vetem unë…!!!

 I nderuar vizitor… kullotës i rastësishëm, i blogut tim… mos qesh me këto rreshta…  situata është dramatike…

Jetoj në një vend ku fëmijët luajnë “analistësh” dhe nuk ia kam idenë face book – ut.

© Arlinda G.

Një ngastër me diell…

1 February, 2009

superstock_1569r-87013.jpg

Nëna ime,
ka një recetë për lumturinë…
 
më flet për të,
me duart e zbardhura,
zhytur, në brumin që mbrujt në tepsi…
 
Ajo shton kursyeshëm;
pak ujë… pak miell…
…çdo gjë me masë…
 
E shtriq brumin kujdesshëm në tepsi,
pastaj e ndan në ngastra…
 
një copë… për ëndrat…
një… për fitoret…
një tjetër…. për humbjet…
 
nëna vizaton me pirun,
nga një diell të vogël, për çdo ngastër…
 
e fut tepsinë në furrë,
pastaj kthehet rrëmbimthi nga unë,
…më urdhëron, prerë;
të ndjek recetën e saj me çdo kusht…
 
recetën… që ka shpikur për lumturinë time…
 
Nëna ime,
sot e ka mbrujtur atë…
… në ngastra të vogla… me nga një diell përsipër…
 
© Arlinda G.