Dimri që shkoi…

24 February, 2017

Dimri që shkoi qe i egër e idhnak…
lulja në verandë i ngjethi sythet,
e degët e reja i mblodhi rreth vetes,
si nëna që mbështjell të vegjlit e saj për t’i ngrohur…

Dimri që shkoi qe i egër e idhnak,
dhe për vajzën që u hodh nga kati i 17-të,
e u përplas rëndë në asfalt…

njerëzit i kalonin pranë,
indiferentë nxitonin në punët e tyre të përditshme…

arrije t’ua dalloje qartë kallinjtë e akullit,
që u vareshin prej zemrës…

ndërsa autoritetet theksuan,
se viktima nuk kishte marrë leje në bashki për të ushtruar aktivitetin,
se viktima kishte uzurpuar hapësirën publike,
se viktima nuk kishte liçencë për të vdekur!

Dimri që shkoi qe i egër e idhnak…
pallton time ia hodha një statuje të pikëlluar në park…

Dimrin që shkoi…

©Arlinda Guma
20.02.2017

Nga Ben Andoni
12-02-2017

Milosa
Gazeta Shqiptare

Ky titull është më i pamundshmi për t’ia blatuar një romani që kërkon të grishë, e ca më tepër kur vjen puna për një libër shqiptar.
Sak këtë ka zgjedhur autorja Arlinda Guma për librin e saj duke u përpjekur të marrë grishjen apo vëmendjen e publikut, që duhet thënë në kohën e sotme i merr mesazhet përmes letërsisë shumë të shpërfytyruara.
Në fakt, ka pasur fare pak reagime dhe një heshtje, që ndodh shpesh, pasi publiku shqiptar e ka harruar leximin.
Autorja ka vendosur që Unin e saj ta ndajë në tre subjekte, që përbëjnë dhe rrëfimin e narratorit, të cilin ajo vetë e qesëndis në disa pjesë të librit.
Si nga një telajo, ajo nxjerr dorën për ta afruar pak më afër e afër, auditorin krejt indiferent, që kërkon ta trand.
Narratori i romanit është kryesisht në vetën e parë si në atë të personazhit, rreth të cilit mblidhet fabula; ndahet në një tjetër femëror, që është gati një karakter idilik, në fakt dy të tillë; dhe narratori i vetës së tretë, që administron çdo gjë.
Kompozicioni i romanit është i komplikuar, por mu këtu qëndron teknikisht ideja e autores për të shpërhapur mesazhet e saj nga drejtime të ndryshme. Ato nisin nga përplasja me indiferencën totale të njerëzimit të sotëm (ka meritën se publikun shqiptar e bën pjesë integrale të së tërës, pa asnjë kompleks), paradokset e demokracisë (një bombardim nuk mund të quhet kurrsesi i mirë), vuajtjet e dashurisë, kërkimin e individit në pavetëdijen e tij etj.
Vlerësime meriton autorja për shqipen e shkruar dhe thellësinë e mendimit që e përshkon punën e saj kurse ALBAS për punën e redaktimit dhe procesin e botimit.
Romani në të gjithë shtjellimin e vet e përshfaq autoren tejet të pjekur për këtë gjini, por edhe sfiduese. Ajo rrugëton me personazhin e saj duke na zbuluar realisht problematikën e individit të kohëve të sotme. Falë jetës së saj, njohjes së botës, romani është i karakterit kozmopolit. Në rastin tonë, personazhi i saj është kozmopolitan shqiptar, që ka një zë, që e kalon arealin e ngushtë gjeografik ku vendosen ngjarjet. Kjo e bën mesazhin e saj, që të fshikullojë disi edhe maskaradën botërore të njerëzve të angazhuar, burokratëve ndërkombëtarë, vetë paqes, lojën e superfuqive tejet ahumane dhe shumë e shumë gjërave të tjera.
Humori i zi është i kursyer, ndërsa fillimi i fabulës ndjek trishtimin dhe mllefin e mbajtur në kontroll të një punonjësi shqiptar të një misioni humanitar në kontinentin Afrikan dhe atë që e përball në kthimin e tij. Ai aksidentalisht do bëhet dëshmitar i një bombardimi, sa tragjik aq edhe grotesk. Falë miqve të tij do të shkruajë një artikull për gazetën “The New York Times”, e cila botohet në periudhën kur ai qëndron në vend dhe dinamika e romanit të përcjell një dashuritë munguar me një pianiste të qytetit të vet, e cila është edhe filli lidhës i romanit. Qyteti, ku jeton, është një mrekulli “një qytet mesdhetar që duket sikur jeton i gjithi në një tablo të Monet-së.”, i kumtojnë miqtë e huaj. Porse, ai vetë do përballet edhe këtu me “një tablo të bombarduar”, që pak sy e shohin, por jo vështrimi dhe kujdesi i tij…
Romani për shkak të kompozicionit të tij përmbledh disa tema, por ka një humor interesant dhe një shpoti që autorja e menaxhon mirë. Autorja ndoshta i duhej pak më shumë punë për gdhendjen e personazhit mashkullor, ku abstragimi i saj nuk shkon aq sa duhet, por në funksion të veprës së saj, ajo ruhet me zgjuarsi nga detajet pikërisht nga gracka e këtij
gabimi që i vigjilon.
Stili është tejet i zhdërvjellët, kurse areali gjeografik, nga ku zhvillohen ngjarjet është i kufizuar.
Dialogët janë të trajtuar mirë, por që mund të ishin pak më spontan.
Autorja shpesh bën sfidë me veten e saj duke e vendosur herë në rolin e lexuesit, por edhe të narratorit për të shijuar librin e saj dhe kjo e përshfaq me kulturë të plotë.
Është interesant edhe etydi i saj që nga fillimi, ku një kurriz që i fanitet personazhit tonë mashkullor, e përcjell përgjatë të gjithë librit me vegimet e një personazhi tjetër femëror, që vuan pasojat e shqetësimeve të saj dhe që autorja e ka trajtuar me shumë kujdes. Personazhet tona takohen e bashkohen përmes një pike të trete dhe përmes një elementi të Salinger.
Pa u zgjatur në fabulën e romanit, duhet të përmendim edhe faktin se autorja ka një qëndrim të matur dhe Shqipëria e saj paraqitet gati në një pamje akuareli. Ajo i shmanget sa mundet përditësisë dhe gjërave të vogla të bashkatdhetarëve të saj. Aman përmes pak penelatave ti merr mesazhe për shoqërinë, kotësinë e saj, politikanët, jetesën dhe shumë e shumë
paradokse që na përballin. Këto nuk teprohen, sa për t’ia lodhur leximin, pasi me zhdërvjelltësinë e saj autorja të grish për tablo të tjera.
Interesant është përdorja e togfjalëshve të kapitujve, që në vetvete, duken si mini-esse, por ku duken të ngulfatur personazhet e saj, që ajo i administron mirë.
Libri do të ishte i pamundur edhe pa ndihmën e Martin Camaj Gesellchaft në Mynih, si edhe përkthyesit dhe studiuesit HansJoachim Lanksch, që e kanë ndihur autoren, por edhe publikun shqiptar jo vetëm me një roman të këndshëm por edhe tejet sfidues sa i përket elementëve teknikë letrarë.

“Xhaketa e botës”

7 February, 2017

Nuk më rri mirë kjo botë…
mëngët më vijnë të shkurtra,
jaka e gjerë,
shpatullat të ngushta,
dhe te zemra më shtrëngon një tegel i qepur keq.

Nuk më rri mirë kjo botë…
astari, akull i ftohtë,
plot xhepa të brendshëm sekretë,
(ku mund të humbas aty fëmijërinë,
ku s’mund të ngroh aty fëmijërinë…)

Nuk më rri mirë kjo botë…
me siguri më kanë ngatërruar masat,
e më kanë qepur në trup xhaketën e oportunistit klasik.

Nuk më rri mirë kjo botë…
po me vret brinjët kjo botë,
ky tekstil polar që do me ç’do kusht të mposhtë,
të vetmen fortesë, ende të ngrohtë në trupin tim;
Zemrën…

©Arlinda Guma
04.01.2017

Vdekja e kllounit

3 February, 2017

Një klloun u vra dje në Aleppo…
Vdekja e tij u raportua live.

Pranë fotos në gazetë,
lodronin gëzueshëm tituj si:
“Si të kryejmë efektshëm gjumin tonë të bukurisë!…”
“Vaji i arrës se kokosit forcon rrënjën e flokëve!…”
“Dhjetë gjëra që duan gratë!…”

Një klloun u vra dje në Aleppo…
shenja dalluese të viktimës;
një hundë e kuqe dhe ca flokë portokall,

që u mësonin fëmijëve si të qeshnin me bombat…
që u mësonin fëmijeve si të përqeshnin vdekjen…

Kur u rrëzua,
i bëri vdekjes një grimasë…

fëmijët qeshën…
rrëzimin e kllounit e pandehën element të koreografisë,
pjesë të numrit që ai po ekzekutonte pak para bombardimit…
pastaj pritën që kllouni të ngrihej,
e të përkulej mirënjohës për duartrokitjet e tyre…

Pritën gjatë…
shumë gjatë…
fëmijët atje janë ende duke pritur që “numri” të mbarojë…

Një klloun u vra dje në Aleppo…
Ne në facebook, shtypëm të gjithë butonin like,
(me të njëjtën lehtësi që piloti i avionit shtypi butonin “bombardo”),
pastaj kaluam në gjëra më të rëndësishme;
siç është për shembull: ndërrimi i fotos së profilit!…

©Arlinda Guma
02.12.2016