Duket groteske mënyra se si po transformohet gjinia e karikaturës këto ditë në Shqipëri, pas ngjarjeve të trishta në redaksinë e Charlie Hebdo. Ngado të dalin përpara syve gjithfarë karikaturash, të cilat vetëm emrin kanë të tillë, ato ngjajnë një lloj hibridi midis epokës së rilindjes së pikturës romantike dhe asaj të realizmit socialist. Personazhet e karikaturuar ngjajnë kaq të mirë e të mërzitshëm (të bukur edhe…), sa ti pyet veten nëse mund të quhet karikaturë një pjellëz e tillë. Asnjë difekt fizik, përkundrazi; nëse i ke sytë të vegjël, karikaturisti t’i zmadhon me shumë dëshirë, nëse i ke të rrumbullakët, ai t’i bën me bisht si bajame, nëse ke buzë të holla, ai tregohet zemërgjerë dhe t’i bën “alla Jolie”. Seç ka një bujari të pazakontë nëpër ajër. Duket se këto ditë karikatura ka filluar të zëvendësojë kirurgjinë plastike. Ah, po! Më në fund ia gjeta emrin e duhur; “karikaturë plastike”! Gjinia më e re dhe më pragmatiste e ditëve të fundit. Një karikaturë që iu bë Ambasadorit të ri Amerikan, i cili sapo ka marrë detyrën në vendin tonë, më ndërmendi po aq realizmin socialist dhe revolucionin kulturor kinez. Atë mund ta merrje si një portret të idealizuar të “njeriut të ri” se sa për një karikaturë. E nëse do të vazhdohet me këto ritme, e sigurt që pas disa vjetësh do themi: – Na ishte njëherë karikatura!…

Nëpër studio televizive gëlojnë debate nga më kontroverset. Moderatorët ngjajnë të frikur. Ata përmendin duke u kapërdirë gjithë drojë se; “vërtet ne po i transmetojmë karikaturat e Charlie Hebdo, por ju, potenciali i hamendësuar i terroristëve në tentativë që po na ndiqni tani, dijeni se po e shfaqim si një qëndrim kritik, jo si një miratim…”. Mbetet vetëm të shtojnë: “Prandaj vini dorën në zemër e mos na hidhni në erë…”

Më tej, ndonjë karikaturist del studio më studio televizive dhe gati sa nuk solidarizohet me terroristët (!) Për habinë time ai nuk ka asnjë qëndrim empatik për të vrarët që kishin të njëjtin profesion me të.

Të gjithë zgërlaqen… e, si për ta demonstruar më tej këtë zgërlaqje, moderatorët vazhdojnë ta ftojnë nëpër emisione karikaturistin në fjalë, pa u thelluar aspak se sa ato deklarata të papërgjegjshme e ndikojnë mjaft audiencën e brishtë.

Ky duket gjunjëzimi më i frikshëm që i është bërë ndonjëherë artit dhe vetë gazetarisë.

Në kohën kur nazizmi ishte në kulmin e lulëzimit të tij, një tjetër Charlie u shfaq në sfondin e zymtë të një këndi të botës, për t’u dhënë shpresë njerëzve të dëshpëruar. Çlirimin e vërtetë prej nazizmit, nuk e sollën avionët anglezë e as ata amerikanë, ata thjesht i përvijuan një lloj çlirimi tjetër, atij çlirimi të parë, i cili erdhi prej imitimit që i bëri, aktori, regjisori, gjeniu; Charlie Chaplin, vetë Hitlerit. Ai imitim solli shpresë në zemrat e njerëzve. Njerëzit kuptuan se edhe një pushtet absolut e i përbindshëm si demagogjia naziste, mund të groteskëzohej, e ashtu, në imitim, nuk ngjante aq i frikshëm. Ai imitim ishte dallëndyshja e parë e shpresës për Europën.

Një satirë e arrirë, nuk të bën vetëm të qeshesh, ajo të bën edhe të mendosh, por mbi të gjitha, ajo shpesh edhe mund të të çlirojë prej frikës, ndërkohë që zvogëlon apo zh’dramatizon përpara syve të tu pushtetin e së keqes.

Nga të gjitha format e revolucioneve, satira është revolucionarja më simpatike. E kush tha që Zoti vetë nuk ka humor? Zoti ndonjëherë është satiristi më fin i universit. Mjafton të përmend këtu një shembull; përpara disa vjetësh, dy grupe kamikazësh që ishin nisur të hidhnin në erë disa objekte publike në Afganistan, gabimisht hodhën në erë njëri-tjetrin… A ka satirë më të arrirë se kjo? Një satirë e zezë, por me një happy-end; kamikazët e siguruan një vend prej “dummy” në parajsë…

Pushtetet absolute, qofshin ato edhe fetë, duhen vendosur gjithmonë në diskutim, vendosja e tyre në diskutim, është i vetmi kusht që një shoqëri të vazhdojë të jetë progresiste. Ato duhen zhvilluar, moderuar, në varësi të risive të kohës. Për të mos thënë duhen ç’mitizuar… (e këtu nuk e kam fjalën për “korifenjtë” tanë ç’mitizues, që japin e marrin pafund me ç’mitizimin e së vetmes figurë historike shqiptare që nuk arrin të ç’mitizohet; Gjergj Kastriotit… sa më të mëdha përpjekjet, aq edhe më i lartësuar ngrihet ai…).

Drejtori i Charlie Hebdo kishte shkruar ngado për të kërkuar sponsorizime për gazetën, madje edhe te vetë Presidenti François Hollande, sponsorizim, të cilin, nuk mundi ta siguronte. – Më duket sikur po lyp, – ishte shprehur i shkurajuar (askund nuk ka sponsorizime për idealistët, ndërsa për Kim Kardashianët ka pafund). E më në fund, ai e siguroi atë sponsorizim me vdekjen e tij dhe të kolegëve të tij… Andej, që nga parajsa, po të mundte, me siguri do na dërgonte karikaturën e vetes, duke mërmëritur hyjnisht; – Uhh, më në fund e sigurova sponsorizimin!… (pasi fshin i çliruar djersët që i rrjedhin çurg në pika gjaku). Charlie Hebdo më në fund u shit në miliona kopje…

Kush e ndoqi takimin e stafit të mbetur gjallë të redaksisë së Charlie Hebdo, me Presidentin francez François Hollande, e ka parasysh atë çastin kur ata, në mes të dhimbjes së madhe, ia dhanë papritur së qeshurës, kur një zog lëshoi një glasë mbi kokën e Hollande… Satiristët kanë këtë mënyrë këndvështrimi, për të shprehur; si afeksionin, si kritikën, si dhimbjen. Ata kanë këtë mënyrë reaksioni edhe në mes të një tragjedie të madhe. Shpesh jeta në këtë planet duket tejet e mërzitshme, absurde dhe e pakuptimtë, si për kristianin, si për muslimanin apo të tjerët (nga këta, më të lumtur duken budistët), por duke i hequr edhe humorin, ajo bëhet edhe më deprimuese…

Ajo që më ka bërë përshtypje në intervistën e bashkëjetueses së drejtorit të Charlie Hebdo, ishte fakti që ai e dinte që do vdiste, dhe nuk i bishtnoi vdekjes, por e priti atë me dinjitet. Një shembull mjaft domethënës edhe për shpatullat e brishta të gazetarisë shqiptare, së cilës, përgjithësisht i mungon idealizmi. Një shembull i madhërishëm i njerëzve që mbrojnë me jetë idetë e tyre, sado të diskutueshme qofshin ato (edhe pse, po të shohësh me vëmendje një karikaturë të trishtë të tyre për fëmijët e vrarë në Gaza, nuk do gjeje dhe aq vend për diskutim).

Të gjithë e pranojmë heshturazi se moskuptimi i madh i perëndimit me vendet myslimane, i cili, e ka zanafillën që në kohërat e kolonializmit, nuk zgjidhet duke shpikur vaksina për pakësimin e popullsisë së këtyre vendeve, as duke dërguar tek-tuk, aty-këtu ndonjë mision humanitar burokrat që fle në këmbë, nëpunësit e të cilit, mezi presin të kthehen në shtëpi me pushime… Ky moskuptim nuk zgjidhet as duke bombarduar një shtet “petroliferik rastësor”.

Zgjidhja e këtij moskuptimi fillon duke shkulur injorancën. Nuk mund të rrish i qetë në cepin tënd të botës, ndërsa në cepat e tjerë ka kaos, herët a vonë, ai do të mbërrijë edhe tek ty. Injoranca dhe varfëria janë djepi më komod për lindjen e fondamentalizmit, dhe shkaku i vetëm që islami ka pësuar regres. Ka një sekuencë interesante te filmi “Robin Hood”; shoqëruesi arab i Robin Hood-it, i jep atij një teleskop të shikojë, dhe Robin-i e vendos atë në sy nga ana e gabuar, ndersa arabi bërtet; – O Zot, sa injorantë këta kristianët! Ёshtë mjaft realist ky këndvështrim regjisorial për islamin novator të atyre kohërave dhe progresin e hershëm të tij.

Europa nuk mund të mbyllet në kullën e fildishtë për të mbrojtur qytetërimin e saj. Pasardhësit e rinj të kolonizatorëve francezë (por edhe ata të Revolucionit Francez) duhet të korrigjojnë me çdo kusht të shkuarën, duke ndjekur politika agresive për hapjen e shkollave në këto vende. Europa duhet të inkurajojë myslimanët e moderuar, t’i kthejë ata në shembuj frymëzues për mbarë globin.Vetëm kështu ajo do të mund të mbrojë edhe civilizimin e saj. Vetëm kështu ajo do të mund të hapë “shkollën e saj të humorit” në këto “vende pa humor”, nëse do të shprehesha figurativisht…

E në gjithë këtë panoramë të trazuar, Shqipëria e vogël ka rolin e saj të rëndësishëm. Parakalimi i klerikëve tanë në Paris ishte mjaft domethënës. Mjaft prekës ishte edhe reagimi i qashtërt i francezëve të thjeshtë, të cilët e pritën me mirënjohje këtë gjest dhe fare pa stërhollime. (Duket se të huajt nuk na përçmojnë aq shumë sa ne përçmojmë veten.) Në të kundërt nga disa analistë ekcentrikë, të cilët duan të tërheqin vëmendjen me shkrime “spektakolare”, ku kundërshtojnë çdo vlerë shqiptare, qartësisht të dukshme, duke i mëshuar idesë se duartrokitjet e francezëve erdhën prej mahnitjes prej ngjyrave ekzotike të veshjeve të klerikëve shqiptarë…

Shqipëria e vogël duhet ta promovojë me forcë këtë imazh të klerikëve tanë të bashkuar… me çdo kusht, kudo dhe kurdoqoftë… Asaj nuk duhet t’i rrëshqasë nga duart ky gur i çmuar, kjo vlerë… Le të mos harrojmë që në Maqedoni, shumë shqiptarë po i ndërrojnë emrat e tyre ilirë, në emra arabë, sipas këshillave të një hoxhe radikal. Çuditërisht ne shqiptarët gjejmë guxim për të çmitizuar Gjergj Kastriotin, por nuk çmitizojmë dot një hoxhë! Ndoshta sepse, si hoxha radikal, si çmitizuesit, takohen në një pikë; denigrimi i këtij simboli kombëtar; Gjergj Kastriotit. Ndërkohë që politikanët tanë duken krejt të shkujdesur e të pavëmendshëm kundrejt kësaj panorame, sepse janë tepër të zënë për t’i nxjerrë sytë e njëri-tjetrit.

Thuhet gjithandej këto ditë të zymta, se Shqipëria rrezikohet prej sulmeve terroriste, duke harruar diçka edhe më të madhe se kaq, Shqipëria duket më shumë e rrezikuar prej asimilimit fetar radikal, sesa prej një terroristi të thjeshtë… Le të mos harrojmë se në Kosovë, duke shfrytëzuar varfërinë e pasluftës, shumë shoqata arabe po i detyrojnë vajzat shqiptare të vendosin shami në kokë. Por jo vetëm në Kosovë. Duket se përgjatë gjithë ekzistencës së tyre, shqiptarët nuk kanë bërë gjë tjetër përveçse; kanë hequr perçe… kanë vendosur perçe… Ka ardhur koha që ata të ndërgjegjësohen se doktrina që myslimanizmi i ka mbrojtur shqiptarët prej serbëve ka qenë dhe është më e dëmshmja në historinë e këtij kombi. Shqiptarizmi, e jo myslimanizmi radikal, do të mund t’i mbrojë ata prej çdo agresioni. Historikisht, shqiptarët janë identifikuar me kombin dhe jo me besimin fetar, ndërkohë që kohët e fundit, kjo, pak nga pak, trishtaz po ia lë prioritetin identitetit fetar. Më bëri mjaft përshtypje kryeministri serb në fjalimin e tij, kur i porositi serbët e Kosovës të lindin shumë fëmijë. E tillë ka qenë gjithmonë politika e tyre, ndërkohë që brezi i ri i Shqipërisë, ose emigron, ose asimilohet. Shumë shpesh te ne shqiptarët kulti i individit ka dalë mbi atë të kombit, në dallim nga serbët, të cilët nuk shquhen për ndonjë individualitet të veçantë, përveçse për përkushtimin e sëmurë ndaj rritjes së kombit të tyre. Ky është edhe fataliteti ynë.

E meqë jemi te kulti i individit; kështu, sipas ritmeve frenetike të zellit të “korifejve” tanë ç’mitizues, ndonjë ditë heroi ynë i vetëm kombëtar do mbetet majmuni… Të gjithë e dimë se nëse ke talent në të shkruar, mund ta vërtitësh si të duash penën, madje mund të arrish deri aty sa edhe ta manipulosh lexuesin, por talenti barazohet me hiç, nëse nuk ke integritet moral apo identitet të shëndetshëm kombëtar. Pas çdo analize manipulative, dhe kërkimit të ethshëm për të vendosur veten në qendër të vëmendjes (në kurriz të kombit), ky i fundit do vazhdojë të tkurret…e tkurret… derisa një ditë, të mos ekzistojë më… Derisa një ditë, kombi do mbetet veç një utopi e largët…

Efekti Houellebecq…

20 January, 2015

Gazeta Dita, 14 Janar 2015

“Vështirësia qëndron në faktin se nuk mjafton të jetosh sipas rregullit. Në të vërtetë, ju ia arrini (nganjëherë gati në çastin e fundit, por në tërësi ia dilni) të jetoni sipas rregullit. Taksat i keni paguar në kohë. Faturat gjithashtu. Ju nuk lëvizni kurrë pa kartën e identitetit (dhe xhepin e vogël special për kartën e identitetit!…) E megjithatë, ju nuk keni miq.”

– Shkëputur nga romani: “Zgjerimi i fushës së luftës” – Michel Houellebecq

Houellebecq-un e kam lexuar për herë të parë në vitin 2007. Ato kohë ishte një shkrimtar krejtësisht i panjohur për Shqipërinë, por edhe tani, janë të paktë ata që e lexojnë, dhe nga këta, edhe më të paktë, ata që nuk e debatojnë. Për të mos folur pastaj për librashitëset, të cilat, si atëhere, dhe tani, pulisin sytë të hutuara kur i pyet nëse kanë ndonjë libër të këtij autori.

Ndjesia që filloi të më linte libri qysh në faqet e para, ishte ajo e një zymtie të gjithëpushtetshme, si dhe një mahnitje pa rezerva, prej ftohtësisë së mendimit të tij analitik me një saktësi prej matematicieni; një mënyrë fare e pazakontë dhe krejtësisht e ndryshme nga ajo e shkrimtarëve të tjerë.

Bëhej fjalë për romanin “Platforma”, në të cilin flitet edhe për një sulm terrorist, i cili nuk është krejt në qendër të romanit. (Këtë roman vetë shkrimtari, e ka quajtur një dështim). Ai u botua në Francë, fare pak kohë përpara se të rrëzoheshin Kullat Binjake. Me rrëzimin e tyre, gjithë bota i ktheu sytë nga libri dhe paralajmerimi, gati profetik, për rreziqet që i kërcënoheshin qytetërimit botëror.

Shpesh e kam pyetur veten nëse do bëhej kaq i dëgjuar ky shkrimtar nëse nuk do të ndodhte rrëzimi i Kullave Binjake… Pyetje, së cilës nuk ia kam gjetur përgjigjen. Por një gjë është e sigurt; mos e lexoni këtë autor nëse jeni në një gjendje depresive! Ai sjell në mënyrë fshikulluese një panoramë që ti nuk e pëlqen, që ti do ta refuzosh me çdo kusht, që të bën t’i thuash vetes me ngulm; – Oh, jo, kurrsesi nuk duhet të jetë kështu!… (edhe pse të gjithë e dimë mirë që është krejtësisht kështu, por nuk ia pranojmë vetes… shkrimtarët e tjerë, vetëm sa e zbukurojnë këtë panoramë me një mbështjellje pak më optimiste.)

Houellebecq është një shkrimtar kontrovers dhe mjaft i debatuar sot në Francë. “Ky djalë ka nevojë vërtetë për ‘terapi’…”. Ai është i pashërueshëm…”, shkruan diku “Washington Post”.

Kritikët i kanë evidentuar mungesë stili (letrar) e, nuk duket se e kanë krejt gabim. Nuk mund të thuash se veprat e tij dallohen shumë letrarisht, por historia në vepër, stili, dhe mënyra me të cilën e përcjell ai këtë histori, nuk zënë shumë peshë për shkrimtarin, përqëndrimi i tij më i madh është vëzhgimi i fenomeneve sociologjike të shoqërisë. Një vështrim kronometrikisht i saktë dhe ftohtësisht i shënjestruar drejt e në plagë. E duke qenë i tillë, reagimet kanë përvijuar nga më të egrat e më të pazakontat.

E kanë akuzuar për islamofobi, e kanë akuzuar për nihilizëm, për njëmijë e një gjëra të tjera, por, për mirë apo për keq, opinioni publik gjithmonë e ka mbajtur në qendër të vëmendjes.

Kur përpara disa viteve mbarova së lexuari romanin “Brave New World”, të Aldous Huxley-t, pata një ndjesi të çuditshme mospranimi që s’dija ta shpjegoja mirë ato kohë. E menjëherë pas leximit, më qëlloi që me këdo që flisja për libra, ta përmendja këtë roman qysh në krye të bisedës, madje edhe ta debatoja, derisa në fund arrita të kuptoj se e kisha pëlqyer tepër, por ashtu, ende nën shokun e befasisë, siç na vijnë në jetë të gjithe tepëritë, nuk kisha qenë në gjendje ta kuptoja menjëherë këtë pëlqesë. Dashuria për librat e pazakontë mund të jetë edhe e tillë… Dhe jo vetëm ajo për librat… Dashuria në përgjithësi si koncept mund të jetë edhe e tillë… Qenia njerëzore është më tepër seç duket e koklavitur.

Vonë, shumë më vonë, pas leximit të librit, mësova se Huxley ka qenë edhe një ndër autorët që kanë frymëzuar Houellebecq-un, duke kuptuar njëherazi që këto përshtypje të përbashkëta mbi këta autorë, nuk kishin qenë farekrejt rastësore. Ata, edhe pse në kohëra të ndryshme, i kishin dhënë dhe marrë njëri-tjetrit.

Si lexuese, adhuroj kur, përveç kënaqësisë estetike që një shkrimtar i mirë të përcjell me veprën e tij, ai edhe të trazon, të bën të debatosh heshtazi me vete, edhe atëherë kur shkrimtari mund të ketë kohë që ka vdekur. Aq sa të bën ndonjëherë të duash të shkosh t’i flasësh atje te varri; – Ngrihu dhe dili zot atyre që ke shkruar!… I tillë është fati i shkrimtarëve ndonjëherë. E njerëzimi, shpesh tregohet ende i pamatur e i papjekur që t’ia pranojë vetes faktin që, përveç të tjerash, këtë shkrimtar, më e pakta; e merr në konsideratë. Me kohë, konsiderata derivon në pëlqesë apo urrejtje… por sidoqoftë mbetet një konsideratë, fjalë, jo pak e rëndësishme kjo.

Konsiderata ndaj një autori mund të shfaqet në mënyra krejt të pazakonta. Ajo mund të shfaqet edhe me mospranim, debate, linçime publike, madje edhe djegie librash, të cilat, pavetëdijshëm japin ndihmesë të çmuar në pavdekësinë e një libri.

Në gjykimin tim si lexuese dhe ri-lexuese e veprës së Houellebecq-ut, një nga arsyet që ky autor kontestohet kaq zhurmshëm duket fakti që ai nuk kujdeset fare të jetë politikisht korrekt me askënd. Ai duket sikur është kundër të gjithëve. Houellebecq-u nuk ka qenë kurrë politikisht korrekt me Islamin, por, ca më pak me qytetërimin perëndimor, këtij të fundit ia ka evidentuar pamëshirë të gjithë zvetënimin, absurdin, boshësinë. Në të vërtetë nuk ka ndonjë rregull të shkruar ndokund ku thuhet se një shkrimtar duhet të kujdeset të jetë edhe politikisht korrekt. Përkundrazi, në këndvështrimin tim, gjithmonë subjektiv, shkrimtarët duhen lënë të lirë për të mos qenë asnjëherë politikisht korrektë. Vetëm kështu ata i revolucionarizojnë mendësitë, nxisin impulset, risitë e mendimit, novacionin, nxjerrin në pah këndvështrime të panjohura, të pazakonta, që trazojnë keqas kornizat konformiste të shoqërisë, edhe pse për këtë u duhet të paguajnë haraçe kryekëput të kripura.

Houellebecq-un e kanë akuzuar si islamofobik. Por sipas gjykimit tim si lexuese, ai para së gjithash, është një “perëndimoro-fobik”. Ai nuk i mban anë perëndimit, madje është fare i pamëshirë me të.

Houellebecq nuk mban qëndrime, ai thjesht konstaton, e në konstatimet e tij, ai nuk bën kurrë kompromise. Ai satirizon, ironizon, më mënyrën e tij të pazakontë, therrëse, logjikëftohtë, asgjësuese. Në romanin “Platforma”, gjuha e tij e ashpër ndaj përshkrimit të turizmit seksual të europianëve që kërkojnë ekzotizmin në Tajlandë, nuk është asnjëherë politikisht korrekte.

“Le Monde Des Livres” e ka quajtur romanin “Platforma” një revolucion intim. Michel, një nëpunës i administratës shtetërore franceze (ka gjithmonë një Michel hipotetik, një nëpunës depresiv, në romanet e tij) vendos të bëjë një udhëtim të zakonshëm pushimesh në Tailandë pas një reklame agresive të një agjencie turistike mbi vendin në fjalë. Në këtë butafori, ai do të gjendet herë spektator e herë aktor. Një nëpunës i pamotivuar, i cili do të ndryshojë kur do të bjerë në krahët e një dashurie që do ta shtyjë në zemër të këtij qerthulli, kësaj platforme…

Kur bisedoja përpara disa kohësh mbi këtë autor, me një ish-kolegen time franceze, bashkëkombase të shkrimtarit, ajo u shpreh me mjaft rezerva. I cilësoi librat e tij si “deprimues”. – Sa më pak ta lexosh, aq më mirë, – shtoi pastaj ajo. Ajo shtoi gjithashtu se Houellebecq-u, përveç konstatimeve të hidhura mbi realitetin, nuk di të japë ndonjë zgjidhje në veprat e tij, por unë mendoj se detyra e një shkrimtari nuk është të japë zgjidhje, shkrimtari nuk është një nëpunës apo menaxher shtetëror…

Më duhet të theksoj se nuk kam ndeshur askund, në asnjë shkrimtar tjetër, një mprehtësi e qartësi vështrimi kaq saktë të shënjestruar. Ndoshta ky është edhe fataliteti i tij. Aftësia për të parë qartë absurdin e ekzistencës. E si rrjedhojë, ai nuk u gjen kurrfarë arsye personazheve të tij për të qenë të lumtur, edhe pse në ndonjë intervistë, çuditërisht është shprehur se beson tek ajo! Ai nuk u gjen kurrfarë arsye personazheve të tij për të parë përreth vetes me entuziazëm. Entuziazmi duhet të jetë fjala më e huaj e të gjithë veprës së tij. (Në veprën e tij ka entuziazëm vetëm atëherë kur i duhet të bëjë ndonjë konstatim therrës).

Në romanin “Zgjerimi i fushës së luftës” (një shtjellim i përvijimtë i luftës së klasave të Marksit, por vendosur në një sfond të ndryshëm social) ai vizaton ftohtë se si, në ç’përbindësh mund ta shndërrojë individin mungesa e dashurisë.

Janë të njohura tashmë thëniet e tij legjendare, tejet sarkastike, mbi bestsellerë si “Kodi i Da Vinçit”, mbi aktorë të sheqerosur të Hollywood-it, ndërsa ka një simpati jo fare të padukshme për Agatha Christie-n, dhe në përgjithësi për botën anglosaksone, e cila dhe e ka pritur më mirë se Franca veprën e tij.

Ndoshta unë jam e vetmja lexuese e tij në rruzull që mendoj se fobitë më të mëdha të këtij shkrimtari vijnë prej kotnisë dhe demotivimit të njeriut perëndimor, se sa prej Islamit… por kjo mbetet për t’u parë nëpër analiza të tjera që do vazhdojnë t’i bëhen pafund veprës së tij si dhe nëpër intervistat e tij tipike, tejet kontradiktore, që vazhdon të japë aty-këtu nëpër media.

Deri atëherë lexues, të sugjeroj ta lexosh këtë autor… E di që gjatë leximit do shtrëngosh grushtat, e do zemërohesh keq me të… Do të duash ta kesh para syve, t’ia fusësh me shpullë e pastaj ta ulësh me forcë përballë teje e të fillosh t’i mbushësh mendjen që jeta nuk është kryekëput ashtu… aq e pabukur; nuk mundet, nuk duhet të jetë aq e kotë, dreqi ta hajë!…

Por në fund, një gjë do jetë e sigurt patjetër; në çdo bisedë të mëpasme, ti do të ndjesh nevojën ta citosh… (natyrisht duke i bërë të qartë bashkëbiseduesit që je krejtësisht në oponencë me mendimin e autorit të citimit…)

Houellebecq, ashtu siç te të gjithë ne, do ta ketë bërë ndërkohë tek ty efektin e tij kontrovers…

Gazeta Dita, 09 Janar 2015

Në bulevardin përballë Hotel Rogner-it, në krye të disa shkallëve, pak metra larg bustit të heroit tonë idealist; Qemal Stafës, prej kohësh qëndron ulur, diku në një cep, një i gjymtuar që lyp.

Pamje kjo, e zakonshme për kalimtarët, do të thotë ndokush, ftohtësisht… E për ftohtësinë, nuk mund t’i vë faj tek e fundit, këto ditë dimri të ashpër, e vetmja gjë që mund të kryesh suksesshëm, është të flasësh ftohtë, të qeshësh ftohtë, të përqafosh ftohtë, të llogjikosh ftohtë… gati me një mendje të ngrirë…

Përgjatë gjithë vitit që lamë pas, lypësi ka qenë gjithmonë aty; në shi e në diell. Ai nuk ka munguar asnjë ditë, e unë (hëm) i kam dhënë ndonjë lek, ashtu siç mund t’i ketë dhënë çdo kalimtar i zakonshëm, të cilit i bie rruga andej. (Asgjë për t’u shënuar në kalendar).

Lypësi nuk mundet të zgjasë as dorën, ai i ka të prerë të dy krahët. Kalimtarit i duhet t’ia hedhë lekët…

Çdo herë kur kam qëndruar përpara të gjymtuarit dhe kam kërkuar për ndonjë të hollë nëpër xhepa, kam menduar me vete gjithë zymti se ky duhet të jetë maksimumi i fatkeqësive që mund t’i ndodhë një qenieje njerëzore.

Por, ja që e paskam patur gabim. Fantazia e universit, në rastin e këtij njeriu e ka ekzibicionuar plotësisht sadizmin ekstrem. Fantazia e universit… dhe ajo e “dorës së ngrohtë të shtetit”, për të qenë më e saktë, për hir të së vërtetës… Pasi, sikur të gjymtuarit të mos t’i mjaftonin gjithë fatkeqësitë, një mbrëmje, në një kronikë të emisionit “Fiks Fare”, mësova se INUK-u i zellshëm dhe shembullor, me veprimet e tij të ftohta prej roboti (plotësisht në sintoni me këtë të ftohtë të pamëshirshëm), i kishte prishur atij edhe shtëpinë; shtëpinë e ndërtuar pa leje.

Hallelujah! Më në fund drejtësia u vu në vend! Më në fund shteti tregoi dhëmbët me përfituesit e pandershëm!

E kështu, që prej asaj dite, i gjymtuari me gjithë familjen e tij, gdhihet nën qiell të hapur.

Të kundrosh qiellin live, në çdo orë të natës, me temperatura kaq gradë nën zero, duket një mundësi e artë që vetëm kjo “dorë e ngrohtë prej shteti të dhimbsur” mund të ta ofrojë. E ti, s’ke si të mos përfitosh nga kjo mrekulli.

Të flesh me fytyrë nga yjet…

Kushedi çfarë i thotë Zotit i gjymtuari, kur bie të flerë… Ku i dihet, ndoshta i lutet ta lërë t’i gëzojë deri në fund gjithë këto “benefite” të mrekullueshme panoramike, si në një kabriolé natyrore. Dhe sigurisht që Zoti, kur do, do… ia plotëson dëshirën lypësit me një saktësi të kronometruar… E kemi gabim kur ankohemi që Zoti nuk gjendet kur e thërrasim… (gjithashtu dhe INUK-u nuk mbetet pas kësaj aureole përpikmërish hyjnore…)

Në ditët e fundit të dhjetorit, më saktë; më datë 29, më ra rruga andej si zakonisht, dhe ndërsa kërkova si gjithmonë nëpër xhepa, më shumë monedha se ç’i kisha dhënë herët e tjera (kjo pasi kisha mësuar nëpërmjet emisionit “Fiks Fare” edhe fatkeqësinë tjetër të prishjes së shtëpisë), guxova dhe e pyeta të gjymtuarin nëse ishte gjetur ndonjë zgjidhje për ndonjë strehim të mundshëm në ndonjë banesë sociale, që nga dita kur u shfaq kronika e emisionit “Fiks Fare”.

– Asgjë, – ma ktheu i dëshpëruar.

Bënte shumë ftohtë atë ditë, nuk mund të rrije në një vend se të ngrinte fytyra, ndërsa ai qëndronte atje, në cep të shkallëve, veshur në trup, vetëm një pulovër. (Hëm, habitem se si INUK-u, me te gjithë zellin e tij robotik, nuk e ka larguar ende edhe prej andej, nga vendi ku ai qëndron ulur, ngaqë i gjymtuari… nuk ka marrë leje për të lypur!…)

I lashë lekët dhe i urova Vitin e Ri me gjysmë zëri.

Urimi m’u duk aq absurd. Por, nuk dita ç’t’i thosha… Ç’të bëja që ta ndihmoja?… Përveçse… të ulesha e të shkruaja këto rreshta…

Dua shumë që në mes të lexuesve të këtij artikulli, të jetë edhe ndonjë qeveritar, pse jo, edhe Kryeministri vetë, edhe pse ai ka deklaruar se nuk lexon gazeta, meqë as gazetarë nuk kemi, sipas tij…

Jeni duke më lexuar tani i Nderuar Kryeministër?

Nëse po, unë shumë përulësisht do t’ju kërkoja që, një ditë, një mëngjes, ndërsa jeni duke shkuar për në punë, ta ndaloni makinën e të shkoni ta takoni vetë lypësin e gjymtuar. Nuk është larg prej zyrës suaj… Madje, po të prisni edhe pak kohë, ku i dihet, ndonjë dite ai do të vijë t’ju lypë drejt e tek dritarja e zyrës… si ai personazhi i filmit “Mësonjëtorja”, që aq mjeshtërisht luan Robert Ndrenika… Por ju, me siguri duhet të keni në dritare perde të rënda, luksoze, Zoti Kryeministër, të cilat duhet t’i fshehin dhe mbysin pa mëshirë të gjitha ngjyrat dhe akustikat e pakëndshme, e aspak estetike, të mjerimit…

Eh, mjerimi nuk është estetik, Zoti Kryeministër…

E di, e di, që këto kohë ka një elektrizim të madh përreth qeverisë, se si të inkurajohen “bletët punëtore” t’i shfrytëzojnë edhe më shumë punëtorët, në vend që të inkurajohen punëtorët që t’u kërkojnë të drejtat e tyre “bletëve” (kjo kuptohet saktë aty ku thuhet krenarisht se këtu nuk kemi sindikata), por ju lutem, bëjeni këtë sakrificë Zoti Kryeministër… Dëgjojeni historinë e të gjymtuarit. Atij ia kanë prishur shtëpinë, ndërkohë që ju ishit duke hyrë në shtëpinë tuaj të re…

Më duhet t’ju sqaroj këtu Zoti Kryeministër, që ky artikull nuk është vazhdë e “kritikës për hir të kritikës”. Jo! Atë rol e kanë marrë qyshkur analistët që bredhin sa nga një studio në tjetrën, duke tjerrë pafund e duke hapur probleme edhe aty ku nuk ka, si rrogëtarë mercenarë që janë. Ky artikull është vetëm një thirrje modeste (dhe e përulur) që ju të hapni sytë përreth. Vetëm disa metra larg zyrës suaj… Që ju të rreshtoheni përkrah më të dobëtit. Pse jo, të inkurajoni edhe krijimin e sindikatave. Pse jo, edhe të luftoni që gazetarët të ndihen të lirë, pa asnjë presion mbi kokë, t’ju kritikojnë… Si lider i një të majte, idealet e së cilës, tradicionalisht në Europë kanë përfaqësuar interesat e të pambrojturve, të papërkrahurve, të të shfrytëzuarve… (e mos u kompleksoni nga kjo e fundit, nëse ju ngjan term komunist, përndryshe, edhe vetë Jezui do të dilte i tillë).

Një shoqëri që nuk ka kujdes social ndaj më të dobtëve, nuk mund të jetë kurrsesi një shoqëri e shëndetshme… Të gjithë e dimë tashmë se kapitalizmi, siç po e dëshmojnë ngjarjet globale, nuk po rezulton një histori suksesi. Por, ç’mund të themi atëherë për këtë kapitalizmin çnjerëzor që po ndërtojmë në Shqipërinë tonë, kaq krenarisht e verbërisht; këtë kapitalizmin e paskrupullt e kafshëror, të cilit, mendjelehtësisht ia marrim si vlerë gjithçka?

Ёshtë më se e drejtë që t’i prishni ndërtimet pa leje, Zoti Kryeministër, madje është për t’u përshëndetur kjo nismë, por kjo nuk duhet t’ju lërë të ftohtë ndaj drames sociale të këtyre njerëzve kaq të pambrojtur…

Fillojeni vitin me një ndërgjegjësim prej politikani të përgjegjshëm… dhe jo- konformist, siç keni demonstruar se jeni. Gjejini një strehim të gjymtuarit, Zoti Kryeministër!… Dhe fondet, nëse janë të shtrënguara e të pakta, mund t’i zbrisni nga fondi i Public Relations, departament, të cilin, që të gjithë në qeveri duket se e keni aq për zemër…

Ne, opinioni publik, do t’ju mirëkuptojmë e do durojmë ca kohë pa u informuar mbi arritjet e qeverisë…

Shënim.

Nuk di nëse do gjej guximin t’ia çoj të gjymtuarit gazetën. Sepse më duket sikur do t’ia shtoj edhe më peshën e halleve që ka. Ky artikull, është një përpjekje kaq modeste… që ndoshta do të rezultojë edhe e papërfillshme… prej instancave shtetërore, por, megjithatë, një shpresë e mekur më mban ende se, kur të më bjerë rruga andej, i gjymtuari do më thotë se tani e ka një çati mbi kokë…

“Skip”↔ “Skipëria”? (Rubrikë e përjavshme kushtuar “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”)

Gjenialiteti i turmës

8 January, 2015

Gazeta Dita, 25 Dhjetor 2014

“Televizioni më duket shumë edukativ, sapo ndokush e ndez, unë lëviz në dhomën ngjitur, për të lexuar ndonjë libër”, ka thënë Groucho Marx.

Kështu desha të bëja edhe unë, lexues, kur rastësisht dëgjova një emision ku qenë mbledhur bashkë disa “korifej” letrarë shqiptarë, që qenë duke folur për letërsinë erotike. Në të vërtetë, ka kohë që përpiqem të evitoj çdo emision që ka një sofá, ku shqetësimi i vetëm i të ftuarve ulur këmbë përmbi këmbë, është si t’ia “menderosin” idenë të ftuarit tjetër në krah, ndërsa ky i fundit është duke folur. Në rastin në fjalë, emisioni nuk u duk se kishte një problem të tillë (dhe kjo do t’ishte e keqja më e vogël), pasi ngjante se të gjithë të ftuarit qenë miq të afërt me njëri-tjetrin.

Por ç’më bëri të ulem e të shkruaj këto rradhë? Them se fjalia më e saktë do të ishte: “Ç’më traumatizoi?”… Sepse ishte vërtetë traumatike pjesa ku një e ftuar në këtë emision e quajti Bukowskin “shkrimtar pornografik”… Në të vërtetë, këtë pohim, e ftuara e bëri si lartësim për autorin… Sipas saj, Bukowski, me të ashtuquajturën pornografi të tij (dhe fare-jo me artin e tij), na qenkesh për t’u përgëzuar se paskesh shpëtuar njerëzimin. (Me siguri, atë çast, Bukowski ka bërë një rrotullim akrobatik në varr…)

Ca më tej, e ftuara përmendi një tjetër emër shkrimtareje amerikane (të lëmit rozë e më gjerë), ndërsa vazhdoi të theksojë se edhe Shqipërisë i duhej një shkrimtare e tillë (!) – Përse nuk kemi dhe ne, këtu në Shqipëri, shkrimtare të tilla që të thyejnë tabutë? – Deri tani nuk ka dalë asnjë! – u ankua e ftuara në fjalë. – Përse nuk kemi një “revolucionare pornografike” do t’ish konturuar më saktë ankesa e saj… (Bukowski do ketë vazhduar rrotullimin e tij të përvuajtur në varr, për krahasimin e pavend që i bëri e ftuara me këtë “revolucionare; rozë e më gjerë”… Madje them se do ta ketë kapur skizofrenia fare e do ketë thërritur në ndihmë psikiatrin e varrezave…)

Që Bukowski është një shkrimtar tejet i keqkuptuar në Shqipëri prej lexuesit komercial, kjo gjë nuk ka dyshim. Por që, një gazetare që bën vitrinën e librit dhe orienton shijet e një audience, jo të paktë në numër, ta keqkuptojë këtë autor kaq mendjelehtësisht, kjo më lë fare pa fjalë.

Kurrsesi nuk mund ta quash Bukowskin shkrimtar pornografik. Përkundrazi, Bukowski ishte një nga shkrimtarët më seriozë të kohës që jetoi. (Shpesh ai është shprehur nëpër intervista që i janë dukur të tepërta legjendat urbane që qarkullonin në lidhje me jetën e tij private.)

Bukowski ishte një shkrimtar i trishtuar… Poet brilant para së gjithash. Ai ishte shkrimtari i klasave të varfra…

Në shoqërinë konservatore amerikane të asaj kohe, ai e solli i pari, të gjallë, këtë panoramë… E për këtë, madje edhe u akuzua nga ndonjë shkrimtar “aristokrat” (nga ata shkrimtarët e mbyllur nëpër kulla fildishi) si një shkrimtar “i një profili të ulët”. Gjuha e tij e ashpër, ishte një kundërvënie e dukshme ndaj realitetit ku jetoi. Të mos e harrojmë këtë! Kjo është esenca e këtij shkrimtari. Ndokush e ka quajtur; vagabond, vetëshkatërrues, cinik, por le të mos harrojmë që “brenda çdo ciniku fshihet një idealist i zhgënjyer”, ka thënë George Carlin.

Për të mos përmendur më tej disa fakte të rëndësishme të jetes se tij personale. Bukowski vinte nga një familje me një baba me autoritet pedant e të dhunshëm. Do të mjaftonte një poezi e tij e shkëlqyer; “A smile to rememeber” – “Një buzëqeshje për të kujtuar”, për të prekur thelbin e tij të trishtuar. Kushdo që e ka lexuar atë poezi, do të indinjohej pezmueshëm me termin “shkrimtar pornografik”.

Të krahasosh Bukowskin me shkrimtarë të llojit “50 Hijet e Grey-t” apo me sharlatanë si Cohelio, më duket një aksident grotesk papërgjegjshmërie e cektësie, sepse përveç të tjerash, teknika e shkëlqyer dhe mjeshtëria e konstruktit të prozes së tij (asaj të shkurtër në veçanti), përbën një argument kokëfortë për ta përfshirë bindshëm nëpër tekste mesimore dhe studiuar me seriozitet e përgjegjshmëri.

Në Shqipërinë e viteve 90-të, patëm një bum të çuditshëm në letra. Këtij bumi, fare mirë mund t’i vendosim edhe ndonjë emër si; “letërsi egomanike”, për të mos vazhduar më tej me zgjatimin; “letërsi hormonale”. Autorët vendosën veten në personazhin kryesor, dhe këtë vete, ata e tej-zbukuruan me photoshop dhe kirurgji plastiko-stilistike.

Nën moton e thyerjeve të tabuve, këta autorë hodhën në rreshta çdo frustrim të tyre vetjak personal, pa kurrfarë funksioni artistik e estetik, ndërkohë që e përshkruan veten (në kohën e shkuar të pakryer) si një perëndi; si një Gjeto Basho Muji seks simbol…

Pikërisht këta autorë, qenë edhe të parët që e keqkuptuan dhe vazhdojnë ta keqkuptojnë Bukowskin. Këta keqkuptues narcizë, ende sot vazhdojnë t’i mëshojnë penës me gjithfarë idiotizmash; rozë e më gjerë, vendosur nëpër veprat e tyre pa kurrfarë funksioni… Si lexues sipërfaqësorë të këtij shkrimtari, ata mbeten te gjuha “bruto” e tij, për të dhënë një përkufizim të përafërt me atë që dha e ftuara në emisonin në fjalë. Shkrimtar pornografik! Pa u thelluar fare nëse shkrimtari, këtë gjuhë, këtë teknikë, e ka vendosur në funksion të një qëllimi, dhe jo kot, ashtu në tym, jo thjesht për të përshkruar frustrimet vetjake, siç bënë dhe ende vazhdojnë të bëjnë këta autorë “plastiko-stilistikë”.

Ka një mendësi absurde këtu. Çuditërisht në Shqipëri, në këto vite post-komunizmi, qasja personale e individit ndaj seksit na valëvitet si flamur, si një simbol kombëtar (!) – Kur jam zhveshur unë, ju i binit maces me lugë, – deklaron me krenari Bleona Qerreti. – Unë duhet ta fitoj këtë pozicion pune se jam një e përndjekur, jam një “LGBT-iste”, – thotë një vajzë tjetër… (Sikur ta dije moj vajzë, sa të përndjekur janë edhe heterot në këtë vend!….) – Kur kam shkruar unë për erosin, ti nuk ekzistoje fare si qenie, – thotë një tjetër, sikur të ketë qenë oficer i Gardës së Gjergj Kastriotit.

Në të vërtetë, habitem si nuk i kanë dekoruar ende këta individë për këto shërbime kaq patriotike! Si nuk u lidhin ndonjë pension për gjithë këtë epizëm kreshnik!… Për gjithë këto shërbime ndaj atdheut.

Për të mos folur pastaj për konceptin klishé të mendësisë idiote të “thyerjes së tabuve”… Nën këtë moto, përpara një viti, një drejtuese gazete, e etur në mënyrën më të paskrupullt për audiencë, botoi rrëfimin e neveritshëm të një pedofili. Pa kurrfarë etike! – E bëra për të thyer tabutë, – deklaroi.

Gjithçka që lidhet me seksin, mendohet se thyen tabutë në këtë vend. Ecim kuturú, verbtaz, pa drejtim… Thyejmë ç’të na dalë përpara… vlerat vetë madje…

Ndërkohë që në shoqëritë e emancipuara, qasja ndaj seksit duhet të jetë diçka krejt intime e personale, e cila nuk ka përse të shndërohet në një kauzë… të një rëndësie ai ajo e luftës kundra Ebolës, bie fjala…

Sigurisht shoqëria në të cilën bën pjesë, nuk duhet të të persekutojë ty nëse bëhesh murg apo një homoseksual, por kjo e drejtë mbaron ketu, nuk ke përse të marrësh meritat dhe stausin e një kreshniku, apo ta përdorësh statusin tënd për të marrë nga shoqëria favore që nuk të takojnë.

E kështu, kësaj sindrome të përgjithshme, këtij keqkuptimi të madh, nuk kishin si t’i shpëtonin as të ftuarit në “emisonin me sofá”… Këta “korifej”, që, në vend që t’ia edukojnë shijet audiencës, ia ç’edukojnë dukshëm ato…

“Gjenialiteti i turmës”, është titulli i një poezie tjetër, të shkëlqyer të Bukowskit… E, në atë sofá, unë e pashë mjaft qartë atë turmë… Një poezi, si e bërë me porosi. (Për të mos përmendur këtu faktin që emisionet me sofá, në këtë vend janë bëre kaq të mërzitshëm e të parashikueshëm… e njëjta skemë, të njëjtët të ftuar, të njëjtat pyetje gjithandej, madje, i njëjtë edhe pozicioni këmbë përmbi këmbë, apo blloku bosh dhe stilolapsi skenogarik që nuk shkruan…)

Në këtë Shqipërinë tonë, ku tragjedi nga më të parrokshmet e imagjinatës rrufiten së bashku me kafen e mëngjesit, është paksa groteske të mendosh se tabutë mund të thyhen duke botuar libra rozë apo pornografikë… Tabutë e një shoqërie të prapambetur si kjo, me kaq shumë kontraste sociale, thyhen me emancipim, edukatë, kulturë, dije… Duke lexuar letërsi serioze edhe… (Kjo letërsi, pavetëdijshëm bëhet për individin, si ajo pika e ujit që pakuptuar gërryen dhe lëmon gurin pak nga pak…)

Emancipimi i një shoqërie kërkon kohën e tij, në çdo etapë. Nuk mund të kapërcesh si me katapultë në transgression, nga një shoqëri që ende praktikon ligjet e Lekë Dukagjinit…

E, përpara se t’i japin mesazhe të gabuara audiencës, këta “korifej” do bënin mirë që të gjitha këto t’i mendonin pak më shumë… Më shumë se ç’mendojnë se ç’do veshin… dhe se si do t’i krehin flokët kur dalin përpara kamerave…

Le të nisë ky emancipim që nga ata vetë… Si fillim… duke kuptuar Bukowskin…

*“Skip”↔ “Skipëria”? (Rubrikë e përjavshme kushtuar “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”)

Utopitë i bëjmë filma

8 January, 2015

Gazeta Dita, 17 Dhjetor 2014

Mëngjes. Del nga shtëpia dhe sheh që jashtë ka rënë një mjegull impresioniste. Mbetesh një çast shtangur duke vështruar peisazhin përreth…

Por, ti do të impresionohesh edhe më, kur tre zotërinj përpara teje, duke ecur secili në punën e tij, ia japin një pështyme përtokë, si me komandë, mbasi i kanë kruar mirë bulçitë… (Gjysma e së keqes që nuk është duke fryrë erë, pasi fare mirë mund të ndodhë që ajo t’ia sjellë pështymën, tjetrit që ecën përbri, apo pse jo, t’ia kthejë si një bumerang, vetë pështyrësit në fytyrë…)

Të përzihet? Mundohesh ta mbash vështrimin tek mjegulla dhe mbështjellja e saj poetiko-impresioniste? Shpreson që ajo t’i mbeshtjellë, madje t’i zhdukë fare nga qarkullimi edhe tre pështyrësit? (paske pritshmëri të mëdha, mjegulla nuk është prestigjiatore… dhe as një vrasëse profesioniste…)

Asgjë për t’u çuditur! Pak durim dhe më tej do ndeshesh një të katërt që shfryn hundët me duar dhe pastaj fshin duart te një pemë….

E ty të dhimbset pema…

E pastaj të dhimbset vetja…

E më tej thua: – Po ç’dua që jetoj ende në këtë vend ku asgjë nuk funksionon!

Pastaj e mbledh veten dhe fillon të mendosh se si ta heqësh mendjen… Si t’i “skiposh” gjithë këto pabukuri, që ky vend, ky qytet, t’i shfaq bujarisht ngado?

Po ndoshta po të ulësh sytë për tokë, dhe ndërsa ecën, të mendosh diçka të bukur… Po, po! Detyrimisht, urgjentisht, duhet thirrur në mendje diçka e bukur…

Por, as atje nuk mundesh, sepse, sapo ul sytë përtokë, ndesh lloj-lloj pështymash, që të detyrojnë të ecësh me kapërcime e të hidhesh pupthi, në mënyrë që të mos i shkelësh.

Ky qytet ka një dimër të butë, por ti do të doje që të bënte një dimër i egër, një ngricë mizore, aq sa t’ia ngrijë qurrat në hundë atij tipit që e përdor pemën për shami… Pastaj do të doje që kallinjtë e akullit të vareshin nëpër dritare… sepse vetem kështu acari do t’i vriste infeksionet që mbartin këto sekrecione konglomerate, mveshur tokës dhunshëm, e njëherazi, mveshur edhe këpucëve të tua.

Mos më thuaj lexues që nuk të ka qëlluar ndonjëherë të kesh përballë ndonjë kalimtar në çastin që sapo bëhet gati të pështyjë…

Jo? Po?…

Ti ia ngul sytë fort, në mënyrë që ta bësh me turp që ai të mos pështyjë… Por, ç’bën ai? Po ja, në rastin më të mirë, ai bëhet vërtet me turp, e mban pështymën derisa ti largohesh dhe… pastaj, që të mos i mbetet merak, e bën atë që ka për të bërë… pështyn më në fund!

E ty pastaj të vjen në mendje një pyetje ekzistenciale, së cilës nuk di si t’i përgjigjesh; – Ç’dreqin i detyron shqiptarët të pështyjnë kaq shumë?

Përse vallë jemi një popull kaq gjithë-pështyrës? Ne jemi pështyrës fizikë e metaforikë… (madje edhe kuantikë…) Ne jemi pështyrës “të çartur”!… Pështyjmë ngado; përtokë, në mur, në pemë…. Pështyjmë njëri-tjetrin… (me përjashtim të politikanëve, këta çuditërisht i kursejmë…)

Dikur njerëzit kanë patur shami xhepi, në ditët e sotme shamiza prej letre, pse nuk i përdorin?

Përse dreqin një individ duhet ta fillojë ditën, detyrimisht, kështu? Me një ndjesi të tillë krupe nëpër stomak? E pastaj gjithë dita ikën ashtu siç e ke nisur, fare pa entuziazëm se përgjatë saj do të bësh ndonjë gjë të vlefshme.

Për të mos folur për plehërat… Të gjitha jashtë kazanëve! Kohë më parë, vendi përreth koshave dizinfektohej, tani as kjo nuk bëhet më.

Në këtë qytet plehërat janë ato që nuk gjejnë kurrë rehatí. Do gjendet patjetër dikush që do t’u bëjë reprezalje… Achtung! Orari që plehërat të kontrollohen për armë të ftohta! Achtung! Orari që të kalojnë në duar të ndryshme sipas ligjit të marketingut! Dora e parë, janë banorët e papërgjegjshëm që nuk i shënjestrojnë ato nëpër kosha, dora e dytë, janë kërkuesit e kanaçeve dhe shisheve plastike që i bëjnë çorap dhe i nxjerrin jashtë, edhe kur ato, me pak fat, janë shënjestruar brenda koshit, dhe dora e tretë, janë qentë e rrugës që marrin ç’mbetet duke i shpërndarë ato nëpër rrugë…

Për të mos folur më tej për zonjëzat që mbajnë qen nëpër apartamente… Përveç faktit që i dënojnë të jetojnë të mbyllura brenda kafshëzat e gjora, ato i nxjerrin për të kryer jashtqitjet e tyre në vende fare të papërshtatshme, e për më tepër, as që marrin mundimin t’ua pastrojnë. Edhe jashtëqitjet e koneve luksoze mungonin në mes të gjithë këtij konglomerati papastërtish! Dallimet klasore të kapitalizmit të lavdishëm që po ndërtojmë kaq krenarisht (verbërisht e paditurisht), s’mund t’i gjesh më të qarta, përveçse në kazanët e plehërave dhe përreth tyre, apo pse jo, edhe në llojin e racës së qenit…

– Pa shih, – i thua ti vetes, pasi je stërholluar nëpër të gjithë këto mendime, -vjeshta ka lënë edhe disa pigmente të fundit nëpër gjethe… Mos i humb!

E ti do vërtet të shpërqendrohesh atje, për të harruar ndjesinë e krupës brenda stomakut me të cilën ke filluar ditën, por jo, nuk mund ta bësh, se ke frikë mos shkelësh ndonjë jashtëqitje qeni, ndërsa ecën dhe kqyr pigmentet e vjeshtës.

Në filmat e kohës së komunizmit, që, përtej vlerave artistike, para së gjithash kanë vlera dokumentareske të paçmueshme për mënyrën se si shqiptarët kanë menduar, shpesh syri më zë aty-këtu disa tabelëza anës rrugëve ku shkruhet: – Mos pështyni përtokë!

Në ditët e sotme nuk kemi të tilla tabela… Thua se tani jemi më të pastër, më të ndërgjegjësuar e nuk pështyjmë?

Ç’i kushton bashkisë të paguajë lirë (meqë ankohet se nuk ka fonde) disa studentë të pikturës, të cilët, të shkruajnë bukur, pastër: – Mos pështyni përtokë! (Toka do t’ua kthejë me të njëjtën monedhë…)

E nëse “pështyrësit-addicted” nuk do të vetëdijësohen edhe me një tabelë të tillë, atëherë këta studentë, përbri fjalëve, le të vizatojnë… hëm… një majmun, bie fjala…

Po, po! Le të vizatojnë një majmun me shami dore…. Kështu ndoshta, këta njerëz do të ndihen të cenuar në sedër…(gjithmonë nëse e kanë një të tillë…). E përbri vizatimit, le të shkruajnë, pse jo, edhe ndonjë slogan ndërgjegjësues të llojit: – Pa shih, edhe majmuni e ka një shami… Po ti ç’pret akoma?

E nëse as vizatimi i majmunit shembullor dhe të përgjegjshëm ndaj shtetit (mos qesh lexues, edhe një majmun mund të jetë i tillë) nuk do arrijë t’i ndërgjegjësojë; përse të mos u vendosen gjoba këtyre njerëzve?

– Mos pështy përtokë! – në të kundërt dënohesh me gjobë… ose; me punë vullnetare, pastrim të detyrueshëm të pështymave të tua dhe atyre të shokëve të vesit të përbashkët.

Sepse, nëse do të ketë ndopak shpresë që ky qytet të jetë më i pastër, ajo do të ekzistojë vetëm te dënimet me gjoba të aplikuara në punë vullnetare, dhe aspak tek istitucioni përgjegjës, fatkeqësisht apatik…

Më ka marrë malli të shoh një makinë të bashkisë duke larë rrugët. Nuk shoh gjëkund, asnjë!… Dhe e vetmja mënyrë për ta shuar këtë mall, është të hap televizorin dhe të shoh filmin “Zonja nga qyteti”… me në sfond një makinë që i spërkat këto rrugë skenografikisht…

Të paktën në atë film, shoh iluzionin e të jetuarit në një qytet normal…

Utopitë… vetëm sa i bëjmë filma…

*“Skip”↔ “Skipëria”? (Rubrikë e përjavshme kushtuar “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”)

Gazeta Dita, 10 Dhjetor 2014

Tashmë është zyrtare; të jesh një “tirons” autokton, nuk ke nevojë të hysh në BE. Ti je vetë BE-ja!

Ti ke shtetin tënd imagjinar, pasaportën tënde imagjinare, vulën tënde imagjinare, skllevërit e tu imagjinarë… madje edhe dhomat e tua të gazit imagjinare…

Ti je vetë dielli që ndriçon! E ashtu, aq i shndritshëm e verbues sa je, nuk ke nevojë fare të udhëtosh nëpër ato; “qytet-shtetet” e tjera, me të cilat të ka rënë halli të kufizohesh, aspak të denja për universin tënd rrezatues.

Jo! Ty nuk të është fare e nevojshme kjo! Njohuritë e tua gjeografike përfundojnë aty ku mbarojnë kufijtë e shtetit tënd imagjinar. Më tej le të merret Zoti. Ç’të duhen mbingarkesat e panevojshme mendore; ti je një “tirons” i vetëmjaftueshëm me universin! Nuk ke nevojë të lodhësh trurin me punëza me mëditje…

Madje ti nuk ke nevojë as t’i njohësh këto “qytet-shtete” të pagdhendura; as ato dhe as historinë e tyre… E meqë jemi këtu; jo domosdoshmërisht të njohësh edhe historinë tënde!…

Por, asgjë nuk të pengon ty ta pasurosh imagjinarisht këtë histori, duke theksuar tejskajshëm me këtë pasurim, pakufijtë e padijes. Sepse çfarë të mungon ty të jesh përveç të tjerash; edhe një i paditur universal? Asgjë nuk të mungon! I ke të gjitha kushtet…

Me statusin e “tironsit autokton” (shkurt “tok-ton”), ti ke të drejtën legjitime të ankohesh gjithë ditën për “të ardhurit” e pagdhendur që po shkatërrojnë shtetin tënd imagjinar. Eh… dhomat e tua të gazit imagjinare! Eh, hajatet apo katonjtë e mrekullueshëm imagjinarë, ku ti ëndërron deri në sfilitje të burgosësh e të torturosh atje “të ardhurit” e pagdhendur, ndërkohë që njëkohësisht mund të jesh duke i thurrur lavde një emri, po prej “të ardhuri”, i cili ta ka themeluar qytetin… Eh, është kaq bukur të jesh një “tirons” sureal!

Tek e fundit, çfarë të mungon ty ta intimidosh fatorinon kur ai të kërkon lekët e biletës, për t’ia plasur në fytyrë, ashtu krenarisht, statusin tënd prej të paprekshmi? Asgjë!

Çfarë të pengon ty të futesh surealisht pa rradhë, kur ke për të mbaruar punë në ndonjë institucion? Kurrfarë gjëje!

Çfarë të pengon ty të mbash një fjalim dritëshkurtër e mediokër në parlament, ku t’u mburresh kolegëve deputetë për topin prej llastiku të fëmijërisë, apo për sandalet kauçuku bie fjala, fjalim ky, që i lexuar nga një “tirons” autentik siç je, tingëllon si një manifest…

Ti i ke të gjitha mundësitë… Me këtë status ti bëhesh më i gjatë, më shpatullgjerë, më flokë-dendur, më intrigues… seç pasqyra të tregon në të vërtetë…

INUK-u nuk mund të ta prishë ndërtimin pa leje… ti je një “tok-ton’s” shpatullgjerë… gjithmonë në modë…

Gjithkush duhet të të hapë rrugë dhe mundësisht, të ulë kokën përpara ADN-së tënde “blu”, si një fajtor i vërtetë. Sepse, të jesh “i ardhur”, është gati një vulë turpi, një lloj zgjebeje e pashërueshme… Të jesh “i ardhur”, është sikur ta meritosh gjithçka që të përplaset në fytyrë. Nuk duhet të bëzash, se ke damkën… Të jesh i ardhur, je; guilty as charged… E thënë përmbledhtas; të jesh një “tirons” autokton në ditët e sotme, është ekuivalent i masterit në fizikë bërthamore.

Ky lloj masteri i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër, të jep ty të drejtën që, ndërsa je duke bëre tifo për ekipin e zemrës; të shkulësh karriget e reja të stadiumit të sapondërtuar…

E përse të mos i shkulësh meqë ra fjala? Çfarë të mungon ty të mos ta bësh? Gjithçka mund të lejohet kur je një autokton. Të hedhësh parrulla ironike, edhe pse ironia nuk ka qenë kurrë pika jote më e fortë… Parrulla si; “Mësim, Punë, Kalitje!…”. E meqë jemi këtu, le ta analizojmë parrullën në fjalë, duke harruar për një çast se i ka përkitur kohës së komunizmit.

Le të mbetemi pakëz te fjala “mësim”. Çfarë kanë “tok-ton’sit” me mësimin, dijen? Çfarë ka për të ironizuar te kjo fjalë? Mos vallë “tok-ton’sit” janë alergjikë ndaj dijes? Atyre u bie të fikët, u mbushet trupi me puçrra sapo e dëgjojnë atë fjalë?

Kalojmë te fjala; “Punë”. Po me punën, çfarë mund të kenë vallë “tok-ton-ët”? Nuk u pëlqen puna? Ёshtë më ekzotike të luash tavëll nën hijen e hurmës? Të hash qofte dhe gjizë?… (gjiza djeg mikrobet… por… ndoshta edhe neuronet…)

Po me “kalitjen”, çfarë kanë? Me këtë nuk besoj të kenë kurrfarë gjëje… sepse të luash tavëll, tek e fundit, duket një kalitje më vete… Një kalitje e stërmundimtë për t’u bërë një obez mendor, i denjë për shoqërinë…

Kur je një “tirons” autokton, ti mund të quhesh pa frikë dhe një Van Gogh, një Da Vinc, një Rembrandt, edhe nëse valëvit në stadium një banderolë ku ke vizatuar thjesht; “mama-dhinë dhe ujkun”… bie fjala… Sepse ky lloj statusi, ky lloj masteri në fizikë bërthamore, duhet të të japë patjetër, automatikisht ty, edhe masterin në pikturë, edhe pse mund të mos ja shkrepësh fare nga kjo punë…. (ah, e di, e di… ti je një artist i pakuptuar nga njerëzimi mosmirënjohës!)

Sepse gjithçka e dalë nga dora e një “tok-ton’si”, duhet të jetë detyrimisht ekuivalente e një Rembrandti… (me kohë, mbase do arrish t’i vizatosh edhe kecat… apo Kësulëkuqen… ku i dihet, asnjëherë nuk duhen humbur shpresat…)

Kur je një autokton, ke të drejtën legjitime të mos njohësh asgjë nga historia. Të përdoresh parrulla naziste, edhe pse nuk ua di kuptimin. T’i shkruash me të mëdha kundërshtarit sportiv; “do t’ju djegim”, “do t’ju bëjmë sapun”, “do t’ju dërgojmë në Aushvic”, etj. Kjo e fundit të tingëllon ekzotike, si një i ri tranzicioni që je, me dije krejt të gjymtuara, më saktë; si një i ri me neurone të djegura, që e ke lexuar historinë, në varësi të humorit të hartuesve militantë partiakë të teksteve mësimore, edhe pse në familje mund të kesh patur dhe ti ndonjë gjysh që mund të ketë qenë i internuar në Aushvic.

Kur je një autokton, ke të drejtën legjitime të shëtisësh me arkivol flamurin e skuadrës kundërshtare, i veshur si një nazist-nekrofil qesharak, i sforcuar, pse jo, edhe i tallavazuar… kjo e fundit e pasuron mjaftueshëm portretin e nazistit ballkanik aspirant. Për të mos kaluar te parrulla të tjera, të turpshme, si:

“Ushtari i panjohur kërkon babën”(!)

E këtu, është fjala për partizanin e panjohur, lexues. Për atë që erdhi nga larg, luftoi e dha jetën, pikërisht që këta pinjollë të rinj “tirons” në kërkim të rrënjëve imagjinare aristokratike (që tani ia përçmojnë mosmirënjohshëm idealet dhe gjakun e derdhur, e që nuk kanë asgjë të përbashkët me “tironsit” e dikurshëm; bujar e të urtë), të vazhdojnë të hanë qetësisht qofte me gjizë… e të luajnë tavëll nën hijen e hurmës, duke pritur me sytë nga qielli…

Për atë të panjohurin “e ardhur” që u ndërtoi urat, rrugët, shtetin…

Por… asgjë për t’u çuditur! Ti je një pinjoll autokton!… Ti je një “tok-ton’s” i lindur me këmishë… Je një i lindur me këmishë, në një pritje të përjetshme që mamia të të vendosë edhe kollaren…