Intervistë me Arlinda Guma
(Dhënë Qerthulli-t datë 18 Gusht 2014)

Arlinda Guma

– Çfarë nuk është thënë, mund të thuhej, a duhej të thuhej për letrat shqipe?

Që lexuesi i këtyre letrave është i mrekullueshem. (zakonisht thuhet dhe “i mBrekullueshëm”, siç duket nënvetëdijësohet me fjalën “mbret”).
Që lexuesi shqiptar është një lexues cilësor, dinjitoz edhe… por që fatkeqësisht, këto vitet e fundit, duket paksa i çoroditur dhe i keq-orientuar drejt letersisë së lehtë, rozë, asaj lehtësisht; “të shitshme” (kjo e fundit ka një ekuivalente të përafërt në gjuhën angleze).
Që lexuesi shqiptar ka patur hershëm një traditë të bukur leximi (në kohën e diktaturës, në mungesë të variacioneve të tjera të jetës, si këto të ditëve tona; pube-eve, tallavave, ikspesave, gjashtave e të tjera mjerimeve si këto të fundit), dhe se këto baza të forta, dhe solide, me pak mirë-orientim, mund të bëjnë tek ai, atë lexuesin ideal, që lakmojnë, pa përjashtim, të gjithë autorët e letërsisë serioze.

– Nëse bëhet fjalë për simptoma të tilla, ç’mund të bëhej konkretisht, në mos për të shëruar, të paktën për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm?

Hm, ç’mund të bëhej?… E keni vënë re besoj, nëpër emisione televizive, se sa hapësirë zë, e ashtuquajtura; vitrina e librit?… Nëse jo, po ua tregoj; maksimumi 13 minuta (për të mos thënë 3 minuta), ndërkohë që një spektakël; përshembull “Big Brother”, ku protagonistët; vetëm gromësijnë, heqin syzer, vendosin syzet, veshin taka për të larë banjën, limojnë thonjtë për të larë enët, dhe sërish gromësijnë, gromësijnë pafund (duket se ajo është gjëja të cilën dinë ta bëjnë më mirë), zgjat 3 orë, për të mos thënë më tepër.
Nëse nëpër këto televizonet “komerciale” (le të mos harrojmë që edhe drejtuesit e këtyre televizioneve kanë fëmijë për të edukuar, dhe jo vetëm për t’i ushqyer), do t’u lihej pak më shumë hapësirë emisioneve serioze, atij llojit të rrallë të artit që nuk bën kompromis me “komercializmin”, në rastin në fjalë; letërsisë serioze, qoftë edhe me nga ato emisionet me recitues poezish apo fragmentesh të shkurtra nga tregime të ndryshme (ku mund të punësoheshin shumë aktorë të papunë), ndoshta ky brez që por rritet, do të kish modele më të bukura për të ndjekur, modele më solide, e ndoshta do mendohej pak më gjatë përpara se të kërkonte t’i arrinte gjërat menjëherë, duke ngrohur divanin. Ndoshta emisione të llojit “klubi i librit”, ku një grup lexuesish lexojnë në mënyrë të organizuar, gjatë së njëjtës kohe, të njëjtin libër dhe pastaj mblidhen së bashku dhe flasin për të. Shqipëria do krijonte një traditë të bukur leximi, tek e fundit, siç dhe e ka patur gjithmonë.

– Shihni mundësi reale që kjo të ndodhë?

Sigurisht. Televizioniet që subvencionohen nga shteti mund ta bëjnë fare mirë këtë, edhe pse arka e shtetit, është ajo që dimë; e varfër dhe e bastisur prej parardhësve, por jo vetëm prej tyre siç dhe rezulton prej ngjarjeve të fundit. Sidoqoftë, me pak pará dhe shumë idealizëm, e dashuri për librin, mund të bëhen gjëra të bukura.
Më duhet të sqaroj diçka këtu; në Shqipëri, idealizmi si koncept përçmohet rëndomtas, njerëzve u kujton një term të shumëpërdorur në demagogjinë e diktaturës. Por unë mendoj se ky është një term shumë më universal se për ta lokalizuar në një sistem politik të caktuar. Çdo shoqëri ka nevojë për idealistët e saj, idealistët i revolucionarizojnë shoqëritë, mendësitë, edhe pse në fillim kontestohen, linçohen, digjen në turrën e druve, etj… Bota merr shpresa të bukura kur bashkë-udhëton me ekzistencën e tyre… Mjerë shoqëritë që nuk i kanë idealistët, kështu siç po e ndërtojmë ne, këtë tonën në Shqipëri, këtu ku himnizojmë parreshtur “të mirat e kapitalizmit” (i cili as kapitalizëm mirëfilli nuk duket), dhe theksojmë përditë këtë mungesë humnerike e të pazëvendësueshme, e cila herët a vonë do të shndërohet në nje lloj bumerangu që do na kthehet nga vetja

– Në morinë e problemeve, me të cilat përballet çdo ditë shoqëria jonë, shpesh të një natyre ekzistenciale; si ikja masive e popullatës, mbijetesa, plagët e trashëguara, ngushtica ekonomike, korrupsioni, ku e vendosni për nga renditja mjerimin e kulturës e për pasoje, të letërsisë?

Po, sigurisht, mund të flasim për mjerim të përgjithshëm kulturor. Mjerimin e kemi që tek muzika e llojit të shoferave të furgonave (me gjithë respektin për këtë lloj profesioni), me të cilën, një specie muzikantësh edukon tek publiku, një lloj shijeje të rëndomtë, të nivelit të baltës. Përpara një viti kam bërë një shkrim për këngën; “Të ka lali xhan”, dhe vuajtjet që kalova atëherë kur m’u desh ta dëgjoja këngën për të shkruar vërtetësisht artikullin, qenë të mynxyrshme, kënga nuk mbaronte kurrë dhe këngëtari e përdridhte zërin sikur e kish zënë korrenti nëpër ca motive horror… Tani, pas një viti, teksa është shuar jehona e “lalit”, seç ka dalë një këngë e llojit; “ta bona me drita”, kështu po i thoshte një ditë një simpatizante kryeministrit te faqja e tij në facebook… U kureshtova dhe pyeta se ç’donte të thoshte ajo shprehje. Më thanë se është një lloj kënge, ndoshta më duhet të bëj dhe për të një shkrim, por vij rrotull e rrotull, se kam frikë ta degjoj; s’di pse, por parashikoj që do jetë po aq e mynxyrshme sa “lali”.
Por të kthehemi te letërsia… Edhe ajo, nuk është mund të ndryshojë shumë nga ç’përshkrova më lart. Kur një shtet planifikon buxhetin e vitit, dhe fondet për artin i ka 0 është më shumë se i mjeruar. Në kushtet e varfërisë së tejskajshme e të dëshpërimit shpirtëror, arti, letërsia, libri, mbeten shtylla kurrizore më solide e njerëzimit, ajo dega ku duhet të kapemi për të mos “çeduar”, mbeten gjithmonë miku që nuk të tradhëton kurrë. Libri është gjithmonë aty, në raftin tënd, dhe nëse e bën dhuratë, është një dhuratë që nuk i ikin vlerat, si një çante përshembull, së cilës i ka ikur sezoni; libri është një dhuratë që mund ta shfletosh gjithmonë…

– A është e mundur, kur flasim për letërsinë e pas 90-ës, duke pasur parasysh hamullinë e botimeve dhe mungesën totale të kritikës së pandikuar, një vështrim perfshirës i vlerave të kësaj periudhe dhe, nëse ka, cilat janë ato sipas jush?

Sigurisht që letërsia e pas 90-ës ka vlerat e saj… Autorët qenë më të lirë, sollën një frymë të re, ndërkohë që disa të tjerëve u ra liria në kokë. Këta të tjerët vendosën veten në piedestal dhe pastaj filluan ta krihnin atë (veten)… Dhe këtu e kam fjalën për autorët që në personazhin kryesor vendosin rëndom veten e tyre, në kohën e shkuar të pakryer (një lloj kohe që përdoret vetëm nga delirantët), ku njëmijë femra të bukura u bien atyre ndër këmbë e u përgjërohen se do vrasin veten nga dashuria për ta, dhe në rastin tjetër; kur janë autore femra; këto na realizohen si mëshirimi i pastërtisë, bukurisë, dlirësisë, e të tjera nga këto gjërat me “isë”.
Kritika, edhe kur ekziston, gjithashtu është e gjithëndikuar. Ne jemi një komb i vogël, me njohjet tona, po kaq të vockla… Të gjithë kemi qëlluar t’i bëjmë një nder dikujt, apo çdokush mund të ketë qëlluar të na ketë bërë një nder neve. Marrëdhënien e kritikës me autorin, aktualisht unë e shoh thjesht si një shkëmbim qokash. Më ka qëlluar të lexoj parathënie librash nga më të parrokshmet e imagjinatës, shkronjësit e parathënieve arrijnë deri aty sa t’i thurrin edhe poezi autorit të veprës…

– Si mendoni se duhen evidentuar këto vlera dhe a është e mundur për kohën që po jetojmë të ndodhë kjo?

Meqë përmenda televizonin “komercial”, po vazhdoj në këtë linjë; shpesh ndodh që televizionet private të kenë edhe shtëpitë e tyre botuese, apo në rastin tjetër; të influencohen nga një shtëpi botuese e caktuar, e si rrjedhojë, qëndrimi është krejt i anshëm. Ka autorë e libra që këto subjekte as që i përmendin nëpër emisionet e vitrinave të tyre të librit (pse në çdo televizon, kjo vitrinë mban të njëjtin emërtim, këte nuk e kuptoj!). Nëpër ekrane promovohen dhe përmenden vetëm autorë klanorë e të tjera si këto. Po kështu dhe ndonjë organizatë që ka mundësi të financojë për ndonjë aktivitet, botim antologjie etj, gjithashtu edhe ato kanë klanet e tyre në dhënien e sponsorizimeve për librin që aq shumë u nevojiten shkrimtarëve. Nuk po përmend këtu edhe një lloj biznesmenësh që kanë mundësi të financojnë botimin e një libri, por nuk e bëjnë, pasi shpesh libri i fundit që mund të kenë lexuar, mund të ketë qenë menuja e ndonjë restoranti, edhe kjo e shtypur me gabime drejtshkrimore. Kjo edhe sepse këta biznesmenë duken tepër të zënë të financojnë konkurse bukurie (ku i dihet, ndoshta nëpër këto konkurse kërkojnë dhe vartëset e tyre te ardhshme, meqë kanë zakonisht kritere “estetiko-stratosferike” për vendet e tyre të punës).
Vlerat, nëse janë, duhen evidentuar në mënyre të paanshme. Si ndodh kjo? Para së gjithash, duke rritur lartësitë si mendësi shoqërore, duke dalë nga meskinitetet e vockla, të llojit; “nga inati nuk ia blej librin atij”, – kështu shprehej fqinji i një shkrimtari të njohur, i cili me siguri do ketë patur ndonjë debat banal me të për shkak të pompës së ujit, ashtu siç të gjithë kemi me fqinjët nëpër pallatet tona. Nëse nuk rriten këto lartësi si shoqëri, por edhe në mes vetë shkrimtarësh, duke u ngritur mbi ato gic-mic-et groteske, arti do vazhdojë të notojë nëpër lyrën e baltës. Nuk mund të bëhesh një shkrimtar i mirë po ishe njeri meskin… E keni vënë re që të gjithë autorët mediokër, janë edhe ata më të pamëshirshmit nëpër linçime të vërbta turmash?

– Ç’rol mendoni se luan interneti dhe mundësite e reja të komunikimit në letërsi dhe sa e ndikojnë atë këto të fundit?

Një rol të mrekullueshëm. Të them të drejtën fare, mua, në facebook, më kanë sjellë me zor miqtë. Më dukej gjëja më idiote dhe e pakuptimtë, të hapje një llogari, të vendosje foto e të komplimentoheshe nëpër komente si; “një hyjni”, “si një bukuri që të pret gjunjët e të tjera si këto”. Madje për këto, facebook-ut i kam kushtuar edhe një shkrim fshikullues; 4 vite më pare, shkrim i cili qarkulloi gjatë nëpër mediat e shkruara, natyrisht në to u botua pa lejen time, siç ndodh rëndom në Shqipëri, dhe që i ndau shqiptarët në dy grupe të rrezikshme; gjysmat më lavdëronin, e gjysmat donin, hëm, si të thuash; “të më hanin të gjallë”, do ishte fjala më e përshtatshme. Tani pas 4 vitesh, mund të them se qëndrimi im ndaj mediave sociale ka ndryshuar. Padyshim facebook-u është një eksperiment social, vazhdimisht nën shndërim, dhe kam përshtypjen se do jetë kështu derisa të vdesim nën eksperiment, një eksperiment social që na ka dalë duarsh, dhe diçka e panjohur dhe shumë më e madhe se përkufizimi që unë i dhashë përpara 4 vitesh, por përtej kësaj ane të panjohur e të frikshme, unë them se ka edhe një ane të vlertë, shumë dominuese. Përpara dy muajsh unë kam botuar një roman, “Bulevardi i yjeve,”, e ka titullin. Duke mos qenë unë pjesë e lobeve të ndryshme, tipike shqiptare, ky libër gati nuk është përmenduar fare nëpër mediumet e ndryshme, përveçse prej lexuesve të mi në facebook, të cilët më ndjekin prej kohësh, prej artikujve që kam botuar nëpër gazeta apo prej blogut tim. Këta lexues e kanë promovuar mes njëri-tjetrit romanin tim, me info të ndryshme nëpër wall-et e tyre, dhe tani shitëset nëpër librari të ndryshme të Tiranës, sa herë kur unë shkoj dhe i pyes me drojë, më thonë se libri ka ecur mjaft. Ja pra, kjo është ajo mrekullia e mediave sociale, internetit.

– Duke qenë se cilësia letrare dhe përfitimi ekonomik nuk shkojnë medoemos krah për krah, mendoni se duhen ndihmuar autorët nga administrata dhe në ç’formë, duke pasur parasysh se modele të tilla si çmimet dhe bursat janë përfolur, shpesh jo për mirë

Le ta themi hapur; “tradita” na ka bërë të arrijmë në përfundimin se nëse merr një çmim, qoftë edhe të merituar, duhet t’u betohesh njerëzve me dorë mbi kuran apo ungjill, se nuk ke patur asnjë mik në juri, përndryshe, ky çmim, më shumë të përlyen se të nderon. Si autore, mendoj se çmimi me i mirë është vlerësimi i lexuesve. Mua nuk më duhet një podium, lë të themi; i diskutueshëm për nga integriteti, që të më japë një çmim, dhe pastaj të vë veten gjithmonë në pikëpyetje nëse e meritoja vërtetë çmimin. Në të vërtetë, në Shqipëri asnjëherë nuk e kupton dot plotësisht nëse ke talent, talenti këtu konsiderohet si një detaj i vogël, fare i parëndësishëm, por edhe kur qëllon që këtë talent ta vënë re, u devijohet qëllimisht qëndrimeve publike, dhe qëllimisht bëhen kapërcime akrobatike të llojit; “je shkrimtar i mirë, por s’je njeri i mirë”. A thua se njeriu jeton në Alaskë dhe shkrimtari në Honolulu… Duan apo s’duan këta “akrobatë” të veckël, meskinë, shkrimtari dhe njeriu janë një.
Por nga ana tjetër, unë jam duke shkruar një roman të dytë, dhe vlera monetare e këtij çmimi do më ndihmonte për ta botuar atë në mënyrë dinjitoze, apo nëse përmend këtu planet e mia më optimiste; për përkthimin e romanit tim të parë. Pra autorët duhen ndihmuar, sigurisht prej shtetit dhe jo vetëm, por me kusht që shteti t’i lërë të lirë e të mos u kërkojë ndonjë gjë në këmbim, dmth. që autorët të kthehen në mercenarë të tij, e pastaj të fillojnë t’i bejnë fresk dorës që iu zgjat.. Shkrimtarët duhen lënë të lirë. Në shoqëritë e emancipuara ata kanë një status mjaft të veçantë; gati të paprekshëm. Prej shumë kohësh, më është ngulitur në mendje një pjesë nga romani: “Ftesë në studio” i Ismail Kadaresë. Gjatë një evenimenti mondan për letërsinë, një Lord anglez, i cili përpiqej drojtur dhe me mjaft takt të futej ne një bashkëbisedim mes shkrimtarësh, fyhej prej tyre me fjalët: – Të me falë zoti Lord, po ai nuk e njeh mirë këtë çështje!
Në Shqipëri kjo skenë do zhvillohej në një kah krejt të kundërt; do ishte pikërish ai “Lordi” që do ta fyente shkrimtarin, dhe jo me fjalë elegante si rasti me lart: – Të më falë zoti shkrimtar, por ai nuk e njeh mirë këte çështje!, por thjesht me harbutëri, përderisa galantësia nuk duket pika e fortë e klasave tona të reja, të pasura…

Si e shikoni rolin e botuesit, libraritë, jurive, ministrisë dhe, jo së fundi, të vetë letrarëve në raport me këtë të fundit

Në shtetet e emancipuara, botuesit e krijojnë autorin. Në Shqipëri autori duhet të shkojë vetë derë më derë, e të bëjë njëherësh; menaxherin, agjentin, promovuesin, autorin. Nga eksperienca; përpara se të gjeja shtëpinë botuese “Toena” për botimin e “Bulevardit të Yjeve”, u sorollata poshtë e lart nëpër disa shtepi të tjera botuese, drejtuesit e të cilave sapo shfaqesha në derë; e kishin zakon të më hidhnin një vështrim nga koka te këmbët, të llojit; “E ç’do ketë shkruar kjo çupëlinë?”. Mund ngaqë isha e veshur me xhinse… nuk e di… Kam vendosur që për botimin e romanit të dytë, të shkoj me një kapele nga ajo e princeshës së Wells-it, dhe me një erashkë tekanjoze dhe mospërfillëse në duar. (autorëve meshkuj iu sugjeroj një borsalinë dhe mundësisht ndonjë llullë, jo domosdoshmërisht të ndezur).
Ndodhte që këta botues të më bënin pyetje paragjykuese të llojit; – Libër me poezi e ke? Në të shumtën e rasteve hezitonin ta lexonin librin, madje një botuese arriti deri aty sa më tha: – Po sikur të kesh bërë ndonjë gabim ti atje brenda? Gati sa s’tha; “Gabim Politik”. Ia ktheva: – E zëmë se e kam bërë këtë gabimin, jam unë autorja dhe jam unë që mbaj përgjegjësi për ato që kam shkruar.
Dikush t’ia thotë ju lutem kësaj zonje që komunizmi ka kohë që është rrëzuar, kështu nuk do shqetësohet më për “gabime ideore, dekadente”.
Më besoni, kam dalë edhe e përlotur nga këto zyra botuesish, sepse edhe kur merrnin mundimin ta lexonin romanin tim, dhe pastaj me shprehnin konsiderata me superlativa për; “stilin e pazakontë” e bla… bla…bla, lavdërime të tjera si këto (ja përse them se në Shqipëri nuk e merr dot kurrë vesh me të vërtetë nëse ke talent), kur vinte puna te kushtet e kontratës, kishin një sjellje të tmerrshme, dikush arriti deri aty sa të vendoste në kontratë një klauzolë djallëzore ku shkruhej se botuesi merrte të drejta nga autorësia e librit, edhe pse isha unë vetë që po e financoja romanin tim, gjë që më shqetësoi dhe më detyroi të mos e firmosja kontraten me atë botuese, dhe të shkoja gjithë alarm ta rregjistroja romanin te Zyra e së Drejtës së Autorit. (Më duhet të them se atje punojnë vërtetë njerëz të përkushtuar)

– Si e shikoni të ardhmen e afërt të letërsisë shqipe?

Të bukur! (pavarësisht njëmijë e një problemeve që rendita)

– Me rënien e tiranise ra vetvetiu dhe hierarkia e krijuar atë kohë e letërsisë shqipe. Shumë autorë të mohuar e të papërfillur. deri atëherë, të ndaluar e të pabotuar, iu shfaqën lexuesit me veprën e tyre, shpesh edhe për herë të parë. Përmendim këtu Fishtën, Koliqin, Trebeshinën, Camajn, letërsinë e sirtareve dhe atë të burgut apo dhe avangardën letrare të viteve 90-të. Sidoqoftë, ndonëse të pranishëm në raftet e librarive ngjan se letërsia e vonuar dhe ajo e pas diktures ende nuk e ka zënë vendin e saj të merituar në kulturën tonë. Clët mendoni se janë shkaqet dhe se a mund të ndryshohet kjo?

– Sigurisht që ende nuk e ka zënë vendin e merituar, sepse ende vazhdohet me mendësinë e vjetër. Kam marrë pjesë njëherë në një konkurs letërsie, ku autorët ndaheshin në autorë të vjetër dhe autorë të rinj, ndërkohë që autorët për mendimin tim, kanë vetëm një ndarje; të talentuar dhe të patalentuar. Sepse një autor i vjetër, i cili mund të ketë shkruar njëzetë libra, ndonjëherë mund të mos krahasohet me një librin e vetëm, shkruar prej nje autori të ri, të talentuar.
Ju përmendët këtu disa autorë të mohuar, por mua me dhembi se nuk përmendët një poet i cili ka patur një jetë tragjike; Frederik Rreshpja. Përpara poezisë së tij, të gjithë autorët e tjerë shqiptarë që janë glorifikuar diktaturës, më duken skematikë dhe të mërzitshëm. E pra, ky autor, si të mos i mjaftonte jeta tragjike dhe persekutimi ç’njerëzor në komunizëm, jo pak është persekutuar edhe në demokraci. Janë ca metoda të liga për të shpërfillur një autor të talentuar këtu, në dukje të paqëllimta, i kanë përdorur më parë gjatë diktaturës me Lasgush Poradecin… Heshtja, indiferenca… Të njëjtat metoda që ndiqen edhe sot në demokraci ndaj Rreshpjes…etj… Ka një heshtje të qëllimtë… As përvjetorin e vdekjes nuk ia përmendën, por jo vetëm atij. Edhe pse poezia e Rreshpjes është futur në antologjitë më dinjitoze botërore, në Shqipëri heshtet… Poezia e Rreshpjes është një poezi që rrëzëllin si një smerald i përkorë, përkundruall baltës së skematizmit, dhe kjo, jo detyrimisht asaj të diktaturës, ka kaq shumë skematizëm, me tepri do thosha, edhe në këtë postdemokracinë tonë.
Përmenda Rreshpjen, por fare mirë mund të përmendja edhe autorët që përmendët ju, pasi sot asnjë prej tyre nuk ka marrë vendin e merituar…
Megjithatë, nuk duhen humbur shpresat.

Nën çadër

29 September, 2014

Botuar në Albanian Travel
nga Flora Xhemani Baba
Dt.01/09/2014

Bulevardi i Yjeve

Nuk e di kush e shpiku i pari / e para mendimin idiot së nën çadër mund të lexohen vetëm libra rozë, duke i hequr kështu të drejtën ngjyrave të tjera të librit të shijohen përmes flladit të detit, aromës së pishave shijes së jodizuar të ajrit apo çfarë tjetër. Ka njerëz që kohën e lirë e kanë shumë të shtrenjtë dhe do të ishte sakrilegj t’u propozoje si konsum të kësaj kohe një libër rozë kur shumë bukur mund të shijohej e verdha ankthndjellëse, e zeza rrënqethëse, grija e trishtë apo e e kuqja pasionante.
“Bulevardi i Yjeve” i Arlinda Gumës nuk është megjithatë, as rozë, as i verdhë, as gri e as ndonjë ngjyrë tjetër me të cilën njeriu mund të penelojë vetë librin që lexon. Dhe asgjë nuk e pengon që të mund të lexohet kudo, aq më pak nën çadër.

Më shumë se njëngjyrësh, ai është një mozaik i përbërë nga një formë shumë origjinale vendosjeje gurësh, ku çdo kapitullth është një historizë, e cila mund të qëndrojë shumë mirë më vete por që, kuptimin e plotë e merr kur bashkohet me copëzat e tjera të mozaikut, duke formuar në fund figurën që ky mozaik përcjell. Një roman që të krijon ndjesinë e ngrohtë se po lexon rrjedhëjetën e njerëzve të tu të afërt e jo të ca personazheve krijuar artistikisht nga një shkrimtare. Nuk është aq e thjeshtë të krijosh të thjeshtën e përbërë, siç ndodh në këtë libër, ku përshtypja e parë e kapitujve të parë është pikërisht thjeshtësia e përcjelljes së ngjarjes, aq sa të bën të mendosh që edhe ti që po e lexon mund ta krijosh një histori të tillë. Kur historia i hyn mesit dhe një sy i tretë fillon e sheh ngjarjet nga këndvështrimi i vet (Lora), atëhere kuptojmë se dy narratorë (shkrimtarja dhe Lora), janë dy përshkrues të ndryshëm për të njëjtën histori, të cilët s’bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë thyerjet e kësaj cope të madhe diamanti duke e bëë atë t’i përkëdhelet më shumë diellit me reflekse vezulluese.
Pa dashur t’u hyj krahasimeve skematike për ta vendosur romanin në një platformë të tillë që të quhet “pasqyra e shoqërisë së sotme”, “lufta mes së mirës e së keqes”, “në fund triumfon happyend-I” etj, romani është fakt një përzierje e të gjithave, me përpjekjen e mundimshme për t’u shpëtuar epilogëve standartë ku domosdoshmërisht historia duhet të përfundojë ose e lumtur ose shumë tragjike. Edhe ngasja e fortë për përdorimin e fjalëformimeve, risive leksikore, figurave vetjake apo shqipërimeve, të huton deri në tejngopje, mirëpo aty ku matesh të thuash se autorja e ka tepruar, gjuha e romanit thjeshtohet deri në befasi dhe të krijon efektin e një flladi freskie në një ambient të rënduar nga vapa. E çuditshme, e thjeshtë, e ngrohtë, e qashtër jo vetëm si shqipe por edhe si narrativë, gjuha e librit është një ndikues i fortë, gati i barabartë me rëndësinë e ngjarjes, sikur autorja ka dashur të thotë se për të nuk ka rëndësi vetëm përmbajtja por edhe forma po aq sa. Një libër që mund ta lexosh me një frymë por mund gjithashtu ta shijosh dalëngadalë, duke “përtypur” çdo copëz me shijen e mirë të gjuhës dhe historisë së ngjarjes.
I zhytur në morinë e vitrinave të librarive, i panxjerrë lart me një platformë bërtitëse promovimi, i papërkëdhelur a fshikulluar nga një kritikë letrare e cila në dy dekadat e fundit nuk ka mundur të lindë, për të zëvendësuar propangandën e dikurshme e mbi të gjitha, i dënuar edhe prej rregullave të tregut për të mos qenë edhe në librarinë e çdo lagjeje, ky libër nuk ka gjasa të kthehet në një “bestseller”. Por në ndryshim nga shumë bestseller-ë ose jo, e në ndryshim nga shumë produkte që mund t’i ketë edhe komshinj nëpër vitrina librarish, ky libër, është letërsi dhe jo letër.
Read the rest of this entry »