Sa “dardanë”?


Dardan - Paraja e Kosovës

"Dardan-i" Paraja e Kosovës - copyright SK

Planet e kahershme evropiane për shkrirjen ekonomike dhe monetare me qëllim të pozicionimit sa më të fuqishëm të kontinentit të vjetër në tregun global nuk duken të jenë të aplikueshme sikur në rastin amerikan. Me diversitetin e pashoq nacional, me tradita të forta dalluese në strukturimin politik e ekonomik, si dhe me problemet e brendshme legjislative e organizative të secilit shtet evropian veç e veç, shëndeti i euros dhe Evropës është përkeqësuar dukshëm. Irlanda, Portugalia, Greqia, Italia e Spanja pothuaj i kanë shteruar të gjitha mundësitë për ruajtjen e krenarisë evropiane – euros.

Reformat strukturale

Greqia ka muaj që ballafaqohet me ndryshimet strukturale në legjislacionin ekonomik të vendit, por ndryshimet nuk sollën dalje nga kriza. Ato nuk sollën as përmbajtjen më të vogël nga kaosi ekonomik dhe financiar. Rënia e eksporteve të produkteve greke për shkak të ngritjes enorme të kosotos së prodhimit të tyre, rezultoi me tkurrjen e të hyrave në buxhetin shtetëror. Ndërkohë shpenzimet e pakontrolluara buxhetore përfshirë normat e ulëta të interesit në marrjen e kredive çuan në prekjen e pikut të borxhit të jashtëm. Tendenca fiktive e Greqisë dhe e shteteve tjera mediterane për t’u krahasuar me shtetet e Evropës veriore pa reformat e duhura e me këtë pa konkurrencë të shëndoshë tregjesh, nuk është diçka e re. I ka rrënjët dekada më parë.

Dorëheqja si zgjidhje

Të dorëhiqesh nga qeveria nuk ndihmon të përmirësohet situata. Dorëheqja e Papandreut dje, i ndjekur nga largimi i Berluskonit sot, apo edhe i Zapateros nesër, nuk zgjidhin krizën. Sa mund të jetë i aftë një kryeministër teknik qoftë edhe me përvojën më të madhe në biznesin financiar të menaxhojë lëmshin e ç’thurur financiar? E pamundshme.

Lëvizjet politike të kushtëzuara nga çoroditja financiare nuk mund të sjellin zgjidhje të problemit. As përmirësim. Lëvizjet e fundit në skenat politike janë vetëm hap për të kënaqur turmat, sepse dihet që nuk ishte politika e kryeministrave të tanishëm që solli këtë situatë. Po ashtu, presionet dhe pakënaqësitë e qendrave perëndimore kundrejt vendeve të Evropës jugore janë vetëm sa për të konsumuar kohë.

Me gjithë këto zhvillime, paqartësisë financiare të eurozonës do t’i vijë fundi. Idetë premtuese për shfrytëzimin e parave të Bankës Qendrore Evropiane, apo edhe printimi i pafund i monedhës euro, tregojnë mungesën akute të formulës së artë për dalje nga kriza. Edhe pse jozyrtarisht, pjesë të Evropës tashmë kanë hyrë në depresion ekonomik. Një dekadë me reformat e duhura për rimarrjen e tregjeve, stabilitetin e euros dhe me këtë daljen nga kriza, do të ishte skenari më optimist për entuziastët e ëndrrës evropiane.

Euro, dardani apo…

Projekti i dikurshëm për pranimin në eurozonë të vetëm atyre shteteve me ekonomi të konsoliduar nuk u respektua që në fillim. Situata e rënduar financiare pothuaj ka dalë jashtë kontrollit. Cilado lëvizje e vendeve të eurozonës, qoftë vetëtërheqja apo përjashtimi i njëpasnjëshëm i vendeve jokonkuruese në eurozonë duket se nuk do të mund të mbrojnë mjaftueshëm shembjen e eurozonës.

Në atë rast Kosova e Mali i Zi të vetmet vende në rajon që vullnetarisht adoptuan euron, do të mund të gjendeshin sërish në një moment aspak komod. Euroja nuk solli efektet e pritura në investime, ashtu siç u besua kur Kosova adoptoi atë si njësi të vetme monetare.
Përveç ndjesisë sipërfaqësore së të qenit “afër” Evropës së pasur, euro në fakt e ka stagnuar zhvillimin e ekonomisë vendore. Ajo rriti koston e jetesës, e ç’është më e keqja ka rritur koston e prodhimit të të mirave materiale, duke frenuar kështu ekonominë e mesme e të vogël, e sidomos sektorin e agrokulturës.

Parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar se Kosova nuk do të ndikohet nga kriza ekonomike evropiane, të paktën jodrejpërdrejt, nuk jep garanci për rehati. Në tërë këtë paqartësi, ekspertët vendorë nuk do të bënin keq që pavonuar të planifikojnë një strategji eventuale në rast të ballafaqimit të drejtpërdrejt të vendit tonë me krizën financiare evropiane.

Kjo do të ndihmonte vendin po ashtu në hapat e integrimit në BE, sepse duket që pranimi i vendeve të reja do të jetë edhe më i vështirë sidomos nëse ekonomia vendore është jokonkuruese dhe në raport të zhdrejtë me konsumin e brendshëm dhe standardin e lartë rrethues.

Meqë kthimi në markën gjermane s’duket të jetë i mundshëm për shumë shkaqe, hapja e debatit për krijimin e njësisë monetare të shtetit të Kosovës nuk është larg arsyes së shëndoshë.

Kështu, nuk do të ishte fare befasi që një ditë tokat djerrë të Kosovës të jenë plot me grurë.

Greek Love


Jo vetëm në mitologji. Jo vetëm nëpër romane e libra historie e filozofie. Tregimi për dashurinë mbijeton. Qoftë edhe pas tragjedive. Kështu ishte dhe do të jetë. Dashuria greke mbetet e përhershme. S’vdes kurrë. Pa marrë parasysh çmimin!

Djathë politika

Nuk mund të mos bezdisesh pafund kur të rastis të jesh jashtë Ballkanit dhe në pothuaj çdo raft ushqimesh të importuara nga ky rajon të shkruhet dallueshëm: djathë grek, jogurt grek, kjo e ajo greke. Dhe shumë njerëz që ngarendin t’i blejnë përkundër çmimeve të kripura. Se janë të shijshme.

Sigurisht, shumë nga këto produkte kanë origjinë nga vende tjera të Ballkanit, por si ndodh gjithmonë çdo gjë e mirë duhet të jetë greke.
Sepse gjithçka nis me qytetërimin grek, kjo, sikur domosdoshmërisht i bën ata të jenë bartës kryesorë të pothuaj gjithë vlerave kulturore e civilizuese të një gadishulli të tërë. Padrejtësisht.

Standardet para statusit

Sigurisht që nuk është rasti i Kosovës. Është Greqia moderne. Fluska e pasur nga Ballkani e lodhur e e varfër. E dashura e Gjermanisë, Francës, Amerikës, gjithë botës. Anëtare e BE-së që nga 1981, dukej të jetë vendi ideal nga qoshku problematik i Evropës.

Me pensionistët më të rinj në Evropë, me deficitin shtetëror katërfish më të lartë se norma e lejuar e BE-së, e me borxh të përafërt 300 miliardë euro, Greqia e ka katranosur keq mbajtjen e standardeve evropiane. Nëse ndonjëherë t’i ketë plotësuar ato, qoftë para apo pas pranimit në BE.

Tragjikomedia

Krizat e thella ekonomike të viteve të fundit, borxhet enorme, trazirat sociale e papunësia e madhe në eurozonë s’janë tjetër pos një tragjikomedi tipike. Shfaqja mbahet në Greqi me regji dhe skenar nga BE-ja. Spektatorë, njerëzimi mbarë.
Edhe një here papërgjegjshmëria, nacionalizmi e sharlatanizmi grek vazhdojnë të sfidojnë e kërcënojnë kredibilitetin e kontinentit të vjetër. Kjo do të bëhet edhe më turpëruese sidomos në fillim të nëntorit në samitin e G-20, nga ku pritet të kërkohet lëmoshë prej Kinës e Brazilit të varfër.

Se a është Evropa vërtet e dashuruar në Greqinë, apo përmes fshirjes së gjysmës së borxheve greke dhe financimit të pjesës tjetër po provon të shpëtojë veten, mbetet të shihet. Sepse përkundër kësaj shumë grekë sërish nuk duan t’ia dinë. Ata mbase do refuzojnë ofertën evropiane në referendumin e përtacisë. Sepse ende duan t’ia hedhin paqt, pa u munduar fare. Se janë grekë.

Ndërkohë qeveri të tëra anembanë Evropës nuk flejnë të qeta. Kostoja do të jetë e papërballueshme dhe afatgjatë. Si në rrafshin financiar, politik e social.

Lajmet jo të mira vijnë sërish nga Ballkani. Nga Greqia fqinje. Ajo nuk është vetëm dele e zezë brenda Bashkimit Evropian. Është një dele e zezë më shumë nga Ballkani.
Me jogurtin e thartuar.

Mocha serbe


Mocha serbe

Nuk ka rëndësi bontoni, trashëgimia e pasur diplomatike, se sa vuajtje sollën në rajon, apo nëse kanë të drejtë ose jo. Me rëndësi është ajo çka duan. Evropa është aty t’u bindet. Gjithmonë e gatshme t’i dëgjojë dhe respektojë ata. Diplomatët e krekosur serbë. Cilido të jetë, qoftë i përfshirë drejtpërdrejt në krime kundër njerëzimit ose jo. Qoftë Millosheviqi, Plavshiqi, Drashkoviqi e Karaxhiqi, apo Tadiqi, Jeremiqi, Ivanoviqi e Stefanoviqi. Ata vazhdojnë të magjepsin Evropën, botën.

Që nga zhbërja e Jugosllavisë, gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e së fundmi edhe në Kosovë, aftësia e tyre për ta kthyer në fitore çdo negociatë, marrëveshje apo luftë është kthyer në art të vërtetë. Në shembullin e Bosnjës fitorja është mëse e dukshme, ku nga një regjion inekzistent më parë si entitet politik, serbët nxorën një republikë. Hiç më pak se 24.857 kilometra katrorëshe. Kështu, ata dolën të jenë fitimtarët më të mëdhenj nga të gjithë. Karshi boshnjakëve, kroatëve. E sidomos karshi të ashtuquajturës demokraci e fuqishme perëndimore.

Tani pas disa viteve, përkundër që nënshkruesit e këtyre marrëveshjeve janë burgosur, dënuar për gjenocid e krime, del që të gjithë e kanë përfunduar me sukses misionin. Ata janë realizuesit e planeve të akademisë së tyre të shkencave. Adhurohen nga populli i tyre, publikisht apo në heshtje. Ata janë kriminelë, por në të njëjtën kohë, heronj.

Veriu e Jugu

Përjashtim nuk bën fare as situata e krijuar që sa vite në veriun e Kosovës. Ndërkohë diplomatët evropianë, bile edhe ata amerikanë nuk dëshirojnë t’ia dinë për komunat shqiptare në Serbi, për spastrimin e pandalshëm etnik që ndodh atje. Për ata i rëndësishëm është akomodimi sa më i mirë i nacionalizmit serb në veri të Kosovës. Nuk duan t’ia dinë se mu këtë projekt e kishte planifikuar politika hagiane e Millosheviqit dhe të njëjtin po e shtyn para politika pseudo-evropiane e Tadiqit.

Në të vërtetë, serbët gjithnjë e kanë dëshiruar një pjesë të Kosovës, sepse e kanë ditur që nuk mund ta kenë të tërën. Dhe i janë përmbajtur politikës së “kërko tepër-për të marrë atë që do”. Në këtë vazhdë zhvillimesh, thashethemet e reja për veriun e vendit duket që komplementojnë thënien e Tadiqit se “nuk mundet që njëra palë të fitojë gjithçka e pala tjetër asgjë”. Në këtë rast, u prekën ose jo kufijtë, qëllimi momental i politikës serbe është vetëadministrimi politik e buxhetor i komunave veriore. Tjerat vijnë më vonë.

Ndërsa politikanët tanë të udhëzuar nga të huajt detyrohen të negociojnë për territore brenda kufijve të Kosovës. Në këto rrethana sigurisht që do të ndodhin lëshime. Prandaj marrë parasysh rreziqet, platforma e Kosovës në negociatat e ardhshme duhet të quhet “Veriu dhe Jugu”, platformë që patjetër të përfshijë përmirësimin e statusit, sigurisë dhe mirëqenies së shqiptarëve në jug të Serbisë. Në fund të fundit Kosova është shteti amë i tyre, sikur Serbia që është për serbët. Çdo gjë tjetër do ta vendoste Kosovën në disavantazh negociues.

Evropa sizifiane

Serbëve nuk iu pëlqen asgjë që ka të bëjë me Kosovën. Ata janë mësuar të konsiderojnë veten e tyre “të veçantë”, “të përzgjedhur”. Si pakicë, të sundojnë shumicën. Dhe kështu të përkëdhelur nga perëndimi ata duan të kenë primatin jo vetëm aty ku jetojnë, por edhe në rajon.

Perëndimi në vend që t’ua tregojë vendin një herë e mirë, vazhdon të dëgjojë teket e tyre, duke mbyllur sytë e veshët para faktit që ishte pikërisht populli serb që inicioi luftën që nga Kosova në të gjithë Jugosllavinë. Diplomacia inerte evropiane nuk arrin/dëshiron të shohë vazhdimësinë e mendësisë hegjemoniste në politikën e sotme serbe, por edhe më tej e ushqen atë në llogari të popujve të dëmtuar.

Politika vendore në Kosovë, si pozita dhe opozita, duken të bindur kundrejt arsyetimeve të ndërkombëtarëve, që gjoja e vetmja rrugë është kompromisi. Që në përkthim të lirë do të thotë: tkurrje territoriale.

Është e habitshme se si tërë investimi ushtarak e politik perëndimor (duke lënë anash çmimin e paguar nga popullata lokale), vihet në pikëpyetje kur vjen momenti i dialogut apo marrëveshjeve politike me serbët. Një shtet që vazhdimisht ka shkaktuar luftëra e vuajtje tek popujt fqinj, nuk mund të kërkojë asgjë. Nuk mund të llogaritet palë e barabartë në bisedime, sepse aty qëndron edhe qëllimi, të pozicionohet fort e të kushtëzojë.

Në gjithë zhbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, ka një të vërtetë të hidhur. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të harrojnë se fituan ndonjëherë ndaj Serbisë nacionaliste. As në kohën e luftërave, as tani në paqe. Sepse ajo vazhdon të mbajë penjtë e dy shteteve të pavarura, Bosnjës dhe Kosovës.

Saint Prizren


Prizreni i Shenjtë

Saint Prizren

Kishte kaluar kohë që nuk flitej shumë për të.

Qyteti shqiptar më në zë dikur, kishte humbur shkëlqimin e tij. I përshkruar si njëri ndër qytetet më atraktivë të regjionit për identitetin e tij socio-kulturor e historik, Prizreni si pak qytete të këtij kalibri, shumë herë përjetoi ngritjet dhe rëniet e tij.

Edhe pse vazhdimisht i banuar nga etni e struktura të ndryshme shoqërore, kjo gjë, më shumë se të mira i ka sjellë kokëçarje. Kultura lokale e ndikuar dhunshëm nga kulturat pushtuese gjatë shekujve, është shtresëzuar dhe transformuar deri në kufijtë e shpërfytyrimit. Jeta e varfër kulturore e eklipsuar nga trashëgimia e pasur religjioze, e bënë qytetin të identifikohet për shumë kohë vetëm me xhamitë, kishat dhe izolimin social konzervativ.

Ndërkaq në kohët moderne u shënua një zhvillim më domethënës në artin prizrenas. Nën sistemin jugosllav përkundër mbështetjes së vogël institucionale, krijimtaria artistike filloi të konsolidohet dhe të jetë përfaqësuese e denjë e kulturës shqiptare në ish Jugosllavi. Emra të njohur, jo vetëm nga bota e artit, por shkencës e politikës dolën pikërisht nga ky qytet.

Vitet e nëntëdhjeta ishin shkatërruese dhe si çdo qyteti tjetër të Kosovës, edhe Prizrenit i hoqën mundësinë për tranzicion normal kulturor e artistik. Nuk mund të thuhet shumë as për vitet e pasluftës, prej kur Prishtina dominoi në organizimet e festivaleve të filmit e teatrit. Mungesa e besimit, fondeve si dhe zhvendosja e krijuesve drejt Prishtinës lanë qytetin të mjaftohet vetëm me bukurinë, tregtinë e trashëgiminë e shenjtë fetare. Elemente këto, të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për ta kompletuar profilin e merituar të qytetit. Të një profili aktual, dinamik dhe përmbajtjesor.

Dhe nëse i besojmë thënies se “gjërat e mira vijnë ngadalë”, atëherë, kjo po që do të vlente pikërisht për Prizrenin. Organizimi i përvitshëm dhe rritja konstante e festivalit të filmit dokumentar po i jep fund periudhës së athtë artistike të qytetit. Nuri kulturor i Prizrenit, ngadalë por sigurt po riinkarnohet. Dokufest, një gjetje kaq origjinale, po katalizon në mënyrë të përshpejtuar pozicionimin e qytetit në hartën kulturore ballkanike e evropiane.

Tashmë, në jubileun e edicionit të 10-të, festivali ka siguruar kredencialet artistike dhe komerciale të tij e të vetë qytetit. Ekonomia e vogël, gastronomia dhe zejtaria prizrenase po bëhen gjithnjë e më vibrante. Dokufesti, si asnjë festival tjetër shqiptar bën që vendi ynë të përshkruhet nëpër reportazhe e guida jo vetëm për të kaluarën e vrazhdë, por edhe për vlerat kulturore e artistike, të cilat pa dyshim e përplotësojnë peizazhin e vërtetë të saj.

Kështu, Prizreni i korrik-gushtit përvëlues po magjeps gjithnjë e më shumë banorët e tij, vizitorët e huaj, artdashësit. Njerëzit nga të gjitha ecejaket e jetës.

Me historinë e pasur, arkitekturën dhe ringjalljen kulturore, shqiptarëve, në kuptimin e plotë të fjalës po u rikthehet qyteti i tyre i shenjtë.

Saint Prizreni!

Sharmi Fetar


copyright - illyris

Konstantës agresive në rritje të zhvillimeve shoqërore në Kosovë nuk po i shpëton dot as diskutimi për ndërtimin e xhamisë për nevojat e besimtarëve në kryeqytet. E panevojshme sigurisht, përderisa deri vonë jemi ndjerë krenarë për trashëgiminë e larmishme fetare që kemi patur gjatë shekujsh. Në një Shqipëri me pothuaj 700 kisha katolike, 430 kisha ortodokse e 570 xhami gjërat duken më të relaksuara. Ndërsa Kosova me mbi 500 xhamitë e saj e me shumë pak kisha katolike, ka një prirje boshnjakëzimi e pozicionimi tekanjoz në sjelljen e disa besimtarëve të saj. E (pa)arsyeshme, e (pa)nevojshme, me pro et contra-t e veta, e gjithë kjo situatë vetëm sa e shpërfytyron sharmin fetar shqiptar.

Keqpërdorimi i fesë

Shih për këtë, askush nuk ka të drejtë që nevojën për ndërtimin e objekteve fetare ta përdorë për ekspozurë dhe ta njollosë me sjellje afektuoze, siç po ndodh këtyre ditëve në rrugët e Prishtinës. Apo të premtojë nëpër fushata se do të ndërtojë xhami e kisha, sikur bëjnë politikanët në Kosovë e Shqipëri. Shteti duhet të qëndrojë larg fesë, por njëkohësisht duhet të mbrojë fuqishëm vlerat karakteristike të shoqërisë sonë duke kontrolluar çdo veprim të dyshimtë të individëve apo organizatave që veprojnë në vend.

Tani jemi dëshmitarë të tendencës për radikalizim e imponim sidomos pas ardhjes së misionarëve dhe organizatave nga çdo cep i globit, të cilat më shumë se që kanë ndihmuar, e kanë komprometuar zhvillimin e shëndetshëm shpirtëror të shoqërisë. Kjo padyshim mund të na krijojë probleme të mëdha si shtet i ri që jemi.

Sa për referencë, një shembull tipik të tillë të zhbërjes shpirtërore kolektive e kemi fqinjin verior. Me politikën e kontrolluar nga feja, me ideologjinë kombëtare të strukturuar nga feja, e me ushtarakët vrasës të spërkatur me “ujë të shenjtë”, fqinjit nuk i mbeti më gjë për t’u krenuar. As për anën shpirtërore së paku. Se popujt e vegjël, të paktën, mbahen pas këtyre vlerave. Nuk e kanë luksin të jenë fetarë kryeneçë. Ai luks u takon shteteve të mëdha, SHBA-së, Iranit, Anglisë, Pakistanit, Indonezisë, apo Francës e Gjermanisë, të cilave u shkojnë para të majme për të menaxhuar dhe mbrojtur ideologjitë e tyre.

Kriza e besimit

Besimtarët dhe fanatikët e të gjitha feve në Kosovë, më shumë sesa për lokacionet e preferuara dhe për përmasat e objekteve fetare, duhet të shqetësohen për mënyrën se si të kultivojnë kulturën e besimit, si dhe respektin e dashamirësinë për fetë simotra. Pastaj se si të ruhen objektet ekzistente nga boshatisja dhe mungesa e besimtarëve. Nuk flitet këtu vetëm për Prishtinën, Tiranën, Prizrenin apo disa qytete tjera të mëdha që normalisht përthithin besimtarë që në fundjavë ia mësyjnë qytetit për ritet, por edhe për të shijuar të dalurit, shëtinë.

Ana tjetër e medaljes qëndron pikërisht në periferitë. Mjafton të shkohet nëpër shumicën e xhamive e kishave nëpër fshatrat e Kosovës e Shqipërisë dhe të takohesh me indiferencën pothuaj totale të shumicës absolute të të rinjve karshi riteve e besimeve, qoftë gjatë festave apo në rutinën e tyre ditore. Njëjtë mund të thuhet edhe për predikuesit moskokëçarës, të cilët shërbimin e bëjnë më shumë nga obligimi sesa nga dëshira për të transmetuar fjalën e mirë.

Xhamia e re

Në dekadën e fundit nga ndërtimet pa kriter është dëmtuar rëndë identitetit arkitekturor i pjesëve të tëra të qyteteve shqiptare. Tendenca për të zaptuar dhe jo për të hijeshuar hapësirat ku ndërtohet ka arritur kulmin. Gjithë kjo duket si garë mes ndërtuesish në kategorinë “kush ndërton më shëmtuar” sesa si zhvillim i mirëfilltë i arkitekturës.

Në rastin e ndërtimeve të banesave apo objekteve tjera administrative rregullat janë më të shpërfillshme, sepse në një kohë të caktuar ato edhe mund të largohen, ndërsa objektet e shenjta duhen trajtuar jashtëzakonisht kujdesshëm. Sepse ato mbesin përgjithmonë aty, dhe kështu nuk duhet ndërtuar kudo e dosido. Ato meritojnë lokacion dinjitoz dhe hapësirë të bollshme. Ato duhet të përkasin aty ku ndërtohen, të jenë në harmoni me objektet përcjellëse dhe të kenë gjithë infrastrukturën e nevojshme.

Lokacioni i propozuar në Ulpianë nuk i ofron një xhamie atë që i duhet. E futur në mes banesash urbane shumëkatëshe e në një terren të pjerrët xhamia do të dukej si një ndërtim i zorit, i dhunshëm. Edhe ndërtimi në hapësirat universitare do t’ia humbte atyre këtë emër. Për të mos anashkaluar legjitimimin indirekt që do t’i bëhej kishës millosheviqiane e ndërtuar padrejtësisht vite më parë.

Shkurtpamësia

Kur do të vijë koha kur ne do të mendojmë e punojmë me vizion, përtej emocioneve të momentit? A i duhet Prishtinës një xhami e ndërtuar domosdoshmërisht në qendër, në një qoshe të pjerrtë apo në një hapësirë të respektueshme dhe më në periferi? Në një hapësirë ku do të përkiste, ku të kishte hapësirë të mjaftueshme për infrastrukturën përcjellëse, që të shërbente jo vetëm për t’u falur, por si një kompleks multifunksional, qoftë bashkë me Qendrën Islamike.

Kjo do t’i ofronte qasje jo vetëm ca besimtarëve meshkuj, por gjithë të interesuarve, studentëve, vizitorëve familjarë e turistëve potencialë në të ardhmen. Kështu do nderohej besimi, feja, vetvetja. Përndryshe, shkurtpamësinë e sotme s’do na e falë e ardhmja.

Nëna e mirë e keqe


"Nëna e mirë e keqe" - © illyris 2011

Edhe pse si etiketë nuk duket e pëlqyeshme, kjo, si edhe çdo tjetër gjë e vlerësueshme në diskursin shoqëror, më shumë ndërlidhet me mungesën e përgjegjësisë. Një nënë e përgjegjshme nuk mjafton të kujdeset vetëm për punët e veta, apo vetëm të ndihmojë fëmijën e saj të hedh hapin e parë, por sjellja e saj shërben si pikë reference në zhvillimin e vazhdueshëm të fëmijës dhe në këtë mënyrë suksesin dhe mirëqenien e përbashkët në të ardhmen.

Papërgjegjësia permanente politike e shtetit amë që pas rënies së komunizmit nuk ka të falur, sa për jetët e njerëzve që jetojnë brenda Shqipërisë, po aq për jetët e shqiptarëve që jetojnë jashtë saj. Skemat piramidale, anarkia, zgjedhjet katastrofike, korrupsioni elitar, abuzimet e vazhdueshme me pushtetin lokal e qendror nga e djathta dhe e majta, janë realitetet historikisht të pandreqshme që Shqipëria ka prodhuar që nga rënia e komunizmit.

Efektet

Efektet e kësaj papërgjegjësie kanë impakt të brendshëm, dhe atë në formë të mungesës së investimeve serioze, papunësisë së lartë, largimit të të rinjve e shumë dëme të tjera, gjerësisht të njohura. Nga ky disfunksionalitet i shtetit shqiptar janë prekur vazhdimisht edhe Kosova me territoret tjera shqiptare në Ballkan. Ngërçet që përjeton Shqipëria kushtëzojnë në mënyrë të pashmangshme Kosovën, shpeshherë padrejtësisht. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, të cilat mbeten të paprekura dhe të pacenueshme.

Dihet që shteti shqiptar nuk ka kursyer asnjëherë asistencën e saj në ndihmë Kosovës pa marrë parasysh në ka qenë e udhëhequr nga e djathta apo e majta. Por përtej lidhshmërisë ndërmjet dy shteteve shqiptare, qëndrojnë marrëdhëniet që këto shtete kanë me rajonin dhe Evropën, ngaqë kur është në pyetje për trajtim dhe respekt, Evropa në kuluaret e saj nuk na sheh si dy shtete të veçanta, por vetëm si shqiptarë. Dhe kur në Shqipëri apo Kosovë gjërat shkojnë keq, domosdoshmërisht shemben balancat dhe bien kredencialet e të gjithë shqiptarëve në rajon.

Shembulli serb

Serbia, shteti më i sëmurë ideologjikisht në Evropë, në konflikt me pothuaj të gjithë fqinjët, shkaktare e shumë luftërave, sërish po na jep shembuj se si veprohet gjeopolitikisht. Me tërë barrën morale për të kaluarën dhe përkundër mungesës absolute të vullnetit të politikës, e kostos nacionaliste, prapëseprapë gjeti rrugë të joshë perëndimin duke arrestuar kriminelin e radhës. Dhe për këtë do të shpërblehet nga Evropa me integrim të përshpejtuar, derisa në anën tjetër shqiptarët që patën rastin e artë që nga rënia e komunizmit, sërish, për disa vota mbeten peng i integrimit. Një integrimi kaq të nevojshëm jo vetëm për veten, por edhe për forcimin strategjik të faktorit shqiptar në rajon.

Shanset e humbura

Shqipëria edhe pse nuk ka pasur konflikte të brendshme etnike apo luftë me shtetet fqinje, edhe pse nuk ka pasur llogari të palara me Hagën, nuk i shfrytëzoi kurrë këto avantazhe. E mbetur prapa në çdo hap të saj drejt anëtarësimit në BE, e vonuar jashtëzakonisht shumë në nënshkrimin e të gjitha marrëveshjeve me strukturat evropiane jo vetëm që humbi shansin për të qenë anëtare në valën e fundit të anëtarësimit, por tani nuk mund të qëndrojë as në linjë me shtetet e mbetura.

Kroacisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë si kandidate zyrtare së shpejti do u bashkohet edhe Serbia, ndërkaq Shqipëria duket që mbeti për në trenin e fundit të integrimit, bashkë me Kosovën dhe Bosnjën. Sipas legjislacionit evropian një shtet anëtar i BE-së ka të drejtë që në mos të stopojë, së paku të prolongojë anëtarësimin e një vendi kandidat, duke kushtëzuar e përfituar për çështjet e nxehta bilaterale, sikur Sllovenia ndaj Kroacisë apo së fundmi Greqia ndaj Maqedonisë.

E se cilat do të jenë kushtëzimet që fqinjët tanë do na i bëjnë gjatë rrugës së tejzgjatur të integrimit, mbetet të shihet.

 

Inati shqiptar


"Inati shqiptar" - © illyris 2011

Askush nuk e di se kur do të vijë momenti kur zgjedhjet lokale në Shqipëri do të jenë vetëm një lajm lokal dhe jo një problem me të cilin do të mirret edhe Europa.

Në fillim dukej të jetë një situate premtuese, pasi në ditën e zgjedhjeve u tregua një frymë e përgjitshme maturie. Por si gjithmonë, vetëm derisa nuk nisi numërimi i famshëm i votave, derisa nuk nisën kundërthëniet e forta mes taborreve politike.
Përpjekja e qeverisë shqiptare për të shfaqur një fytyrë më të moderuar, të kundërt nga ajo e zakonshmja, pa gjuhën e urrejtjes dhe ofendimeve të ulëta doli të funksionojë deri në një masë. Por jo sa për të kaluar e vetme testin, pasiqë pala tjetër, opozita, as që e mori guximin më të vogël që të përmirësojë veten në këtë aspekt. Se do të mundte, s’ka dyshim. Një gjë që nuk kërkon shumë investim. Do të mjaftonte një vendim brenda partisë, që çdo dalje para masës dhe medias të bëhej me një gjuhë të zgjedhur e të kultivuar, për të treguar pjekuri dhe çuar para proceset. 
Por kjo nuk ndodhi dhe siç po shihet zor se të ndodhi ndonjëherë.
 
Ngecja kolektive
 
Si një popull i vogël e i paragjykuar nga të tjerët, gjatë historisë së ekzistencës tonë, nuk jemi ndier fare të përkëdhelur. Zakonisht fajin ua kemi hedhur të huajve të cilët nuk na njohën sa duhet, e për pasojë edhe nuk na deshën sa duhet. Se paragjykimet ndaj nesh ishin të stisura dhe të pavërteta, e se ne shqiptarët, në të vërtetë jemi të njëjtë me pjesën tjetër të Europës.
Por ky perceptim yni për veten tonë rezulton të jetë i paqëndrueshëm, kjo, bazuar në mënyrën se si shqiptarët janë duke u sjellur, qofshin në pushtet apo në opozitë. Se cilat janë shkaqet e vërteta të kësaj katandisjeje kolektive, do të ishte një subjekt i gjerë studimi shkencor e historik. 
Mungesa e lirisë dhe shtypja permanente qoftë nga të huajt apo sistemet politike s’mbeten më faktorët deçizivë që kushtëzuan ngecjen tonë. Se as dy dekada demokraci, si askund tjetër në rajon, nuk dolën të mjaftueshme për emancipimin themelor të shqiptarëve.  
 
Inati e urrejtja
 
Çoroditja politike shqiptare nuk do mend që në thelb përmban frikë dhe mosbesim. Ndaj kujtdo që udhëheq. Qoftë në nivelin lokal apo qëndror.
Në vazhdën e kësaj, mungesa e lirisë së ideve, reformave dhe moralit politik brenda partive flet vetë. Kjo bëri që qeveria në zgjedhjet e përgjithshme të fundit, të hyjë në pazare politike jo të shëndosha me armiqtë e deridjeshëm politikë, të cilët rezultuan të jenë të zhytur në korrupsion të thellë. Por kjo kishte pak rëndësi. Zgjedhjet duheshin fituar patjetër.  
Po kështu as zgjedhjet lokale të fundit nuk shënuan përparim në demokracinë e vendit. Duke filluar që nga opozita e cila nuk pati vizion më të largët sesa deri në Tiranë. Rikandidimi i sërishëm i të njëjtës figurë politike, tregoi se sa e ngulfatur, e pareformuar dhe e kontrolluar është partia kryesore opozitare. Dhe kjo, vetëm e vetëm nga frika e inati për humbjen e mundshme nëse në garë do të futej një figurë e re. Për më tepër kjo opozitë ende pa u dhënë rezultati, i cili doli të jetë në favor të saj, kishte paralajmëruar parregullsitë dhe pakënaqësitë e mundshme, duke ftuar popullin të dalë në rrugë dhe duke nxitur urrejtje. Sepse sido që të ndodhë, skenarët e kontestimit duhet të jenë të përgatitur.
 
Autofagia
 
Deri më tani çdo rotacion pushtetesh në Shqipëri ka patur dhe vazhdon të ketë kosto të madhe politike e integruese. Për më tepër ka çuar në një lodhje e çorientim kolektiv të shoqërisë shqiptare në Ballkan. Tendenca e imitimit nga klasa tjetër politike shqiptare në rajon duket të jetë në rritje të vazhdueshme. Partitë shqiptare në Maqedoni, Serbi, Kosovë e Mal të Zi nuk duken të jenë më të çliruara se simotrat e tyre në Shqipëri nga instinkti serpentin i autofagisë. Fatkeqësisht, mendësia e të bërit të gjërave në shoqërinë shqiptare nuk kalon përtej caqeve të vetkënaqësive të siguruara nga autoritarizmi dhe mundësia e kontrollit të çdo gjëje.
E tërë kjo keqqeverisje, mllef, urrejtje e inat si asnjëherë më parë, nuk na vjen nga të huajt por nga vetja jonë, dhe dëmet e shkaktuara nga vetvetja duken të jetë më të pariparueshme e më të rrezikshme se çdo politikë apo nismë e armiqve të popullit tonë.
Sigurisht, e dhimbshme dhe e çuditshme që edhe në këtë rast të huajt duhet të na qëndrojnë pranë.
Të na mbrojnë. Nga vetja jonë.

“Triumfalizmi”


"Triumfalizmi"

“Drejtësia u vu në vend” – ishte kjo fraza e përcjellur gojë më gojë nga të gjithë, pas lajmit për likuidimin e Bin Laden. Që nga presidenti amerikan Obama, kryeministri kanadez Harper, presidenti Topi, ambasadori Arvizu, presidentja Jahjaga e shumë liderë tjerë botërorë e lokalë. Duket se dhënia e kumtit nuk ka ndryshuar shumë nga e kaluara, kur lajmëtari dilte para turmës dhe sillte lajmin për fitoren apo humbjen e ushtrisë në betejë. Dhe derisa dikur lajmi ipej nga një maratonomak që vinte direkt nga beteja, në demokracitë moderne vetëm njerëzit e rëndësishëm e shijojnë emocionin e triumfalizmit, dhënien e lajmit të pritur gjatë. Se mbi çdo gjë tjetër, duhet ushqyer turmën. Më e çuditshme është kur kjo ndodh në një demokraci të zhvilluar si ajo e SHBA-së. Vendimi që vetë Obama të ishte lajmëtari për vrasjen e shumëpritur, e jo një zyrtar tjetër amerikan, qoftë edhe ushtarak i lartë, si dhe përtej këtij momenti, sjellja që bëri Uashingtoni zyrtar ndaj reagimit të opinionit publik, ngre shumë pikëpyetje. Normalisht lajmi për vrasjen e Bin Laden u pasua menjëherë me kërkimin e provave nga opinioni i gjerë botëror. Dhe po pastaj, arsyetimi se “ne nuk mbajmë trofe në duar” për të provuar kështu me fakte vrasjen e Bin Ladenit, sikur qëndron në disproporcion me reagimin euforik të Shtëpisë së Bardhë të ditëve më parë. 

Turmat
 
Të festohet kjo ngjarje në mënyrën se si e bënë amerikanët në Nju Jork dhe Uashington mbi të gjitha nuk ishte mënyra më civilizuese. Se nuk bëhej fjalë për një ndeshje sportive. Në atë mënyrë nuk u bëhej respekt as viktimave të 11 shtatorit. Me ato festime nuk u zhbë gjë dhe as bota nuk u bë më e sigurtë. Sigurisht që dëmet e 11 shtatorit ishin të mëdha. Përtej humbjes njerzore dhe asaj materiale më së shumti u dëmtua prestigji, egoja e Amerikës. Por festimet dhe thirrjet e turmave, qofshin spontane ose të mbështetura nga qeveria nuk dhanë mesazhin e pritur, nuk treguan pjekurinë e popullit amerikan, por treguan situatën në të cilën ndodhet kjo shoqëri, pasigurinë e saj në tërë këto vite dhe nevojën kaq të madhe për t’u kapur pas një fitoreje simbolike, sado të vogël, qoftë edhe eliminimin e një terroristi.
Euforia dhe festimet do të ishin më të kuptueshme, sikur Bin Laden të kapej apo vritej shpejt pas 2001-ës. Por tani, kur për shkak të moshës si dhe konsumit, ai edhe mund të ishte zëvendësuar nga pasardhësit e shumtë ideologjikë.
 
Bin Ladenët e Millosheviqët
 
Nuk duket punë e vështirë të përcaktohet nëse likuidimi fizik i një figure markante e një sistemi e ideologjie të caktuar, të cilësohet si fitore e vogël apo fitore e vërtetë. Vetë këto figura, më shumë se krijues të ideologjive, janë të zgjedhur të momentit të këtyre ideologjive të brumosura mirë e mirë që me kohë. Një figurë simbol duhet ta ketë çdo sistem, qoftë demokratik apo tiranik, por se sa të përkohshme janë këto figura tregon fakti se çdo devijim nga rruga e trasuar u ka kushtuar pozitën brenda për brenda ideologjisë. Për më tepër, sikurse simbolika që bartin këto figura, poaq mbetet simbolik edhe eliminimi i tyre. Kohët kanë treguar që ideologjitë nuk shuhen me eliminimin e figurave të tyre, ngaqë çdo ideologji është pjesë e një procesi që kërkon kohë për konsumin e saj, pa marrë parasysh kush qëndron në krye.
Simbolika e figurave në kohët moderne në secilën shoqëri ka një skadencë të përshpejtuar për shkak të ngopjes konstante të opinionit me to, duke bërë që një figurë e re lehtësisht të zëvendësojë një të vjetër.
Për këtë, njerëzimi nuk mund të festojë vdekje simbolesh duke parë që trashëgimia e tyre e lënë pas është hiperbolikisht më e rrezikshme. Si në rastin e Millosheviqit kur arrestimi, dënimi i mundshëm apo edhe vdekja e tij nuk duket se i ndihmoi popujt e ish-Jugosllavisë të harrojnë dëmet enorme dhe pasojat që po vuajnë edhe sot për shkak të ideologjisë së shtetit të tij. Faktet tregojnë se me vdekjen e Millosheviqit, as sot e kësaj dite Serbia nuk u bë një shtet më i mirë. Ndaj askujt. Prandaj, derisa një ideologji e rrezikshme është ende aktive, më shumë se çdo gjë tjetër, duhet të kihet kujdes. Se një Millosheviq e Bin Laden, në mos për t’u dënuar apo vrarë, një ditë do të vdisnin dosido. Ndërsa ideologjitë e tyre ende jetojnë e kultivohen, me apo pa figura simbole…

Ein Schock! Ardian ist Raus!


Edita Abdieski & Ardian Bujupi

Ein Schock! Ardian ist raus! (Shokuese! Ardiani jashtë!)
Kështu shkroi Ardian Bujupi në statusin e tij në Facebook, disa minuta pas eliminimit nga gjysmëfinalja e shout gjerman të talenteve të muzikës, DSDS. Vërtet e papritur, sidomos tani në fund të garës kur diferenca ishte bërë, pikërisht kur kualiteti i vokalit dhe performancave të Ardian Bujupit ishin bukur më të dallueshme nga ato të konkurrentëve të tjerë.

Si të ndodhte ndryshe?! Të gjitha shou-programet që kërkojnë talente të reja, kudo në botë, vazhdimisht janë nën llupën e kritikave të opinionit të gjerë, sepse në mos zakonisht, shumë shpesh ndodh që më të mirët të s’kualifikohen pak para se të prekin ëndrrën e tyre të madhe. Fitoren. Nënshkrimin e kontratës.

As DSDS 2011 si duket nuk shpëtoi dot nga skema tashmë e njohur gjithandej. Favoriti numër një për fitore, në të gjitha sondazhet dhe parashikimet e bëra në Gjermani deri më tani ishte padiskutim Ardian Bujupi. Forumet dhe sondazhet e favorizonin atë me mbi katërdhjetë përqind nga totali, kundrejt konkurrentëve të tij, njëjtë sikur më parë me Editën nga X-Factor. Edita fitoi, por për Ardianin kësaj radhe gjërat morën kahje tjetër. Ai u eliminua.

Shqiptarët vs gjermanët

A duhet parë largimi i Ardianit nga gara si rrjedhojë e ndonjë prapaskene të mundshme të organizatorëve, të cilët në fund të fundit nuk përballuan dot që dy shqiptarë të jenë fitues të njëpasnjëshëm të garave muzikore në Gjermani? Të rinjtë shqiptarë që po eklipsojnë të rinjtë gjermanë aq të shumtë në vendin e tyre. Apo që vërtet publiku ishte ai që vendosi të largonte Ardianin nga gara?

Po të ishte vendim i publikut, atëherë rezulton që të gjitha sondazhet e klasifikimet e bëra në internet të jenë të kota e të pavlera. Kjo, e kundërta me rastin e Editës. Ndërsa në rastin e Ardianit, votimet online bien në kundërshti të plotë me votat telefonike. Paradoksale. Në një kohë kur interneti është ai që e thotë fjalën e fundit, për suksesin apo dështimin e një artisti, që dikton suksesin e çdo shou muzikor, si dhe të vetë televizioneve që i organizojnë ato.

Sigurisht shokuese dhe zhgënjyese në një mënyrë. Dhe kundërproduktive. Që tejkalon pritshmërinë e shikuesit, se vërtetësia e krijimit të këtij formati është e padiskutueshme, dhe se talentet e vërteta ngadhënjejnë. Punë e kryer. Jo gjithmonë. E paparashikuara fshihet prapa dyerve të misterit. Dhe se gjithmonë nuk është në pyetje vetëm talenti. Ka edhe përllogaritje të tjera. Matematikën nuk e bën vetëm publiku, por e bën më shumë se çdokush, vetë organizatori. E anëtarët e jurisë që punojnë pafund, dhe që njohin talentin e vërtetë, dalin të jenë kukulla televizive dhe asgjë më tepër. Është e papranueshme kur sheh edhe vetë ata duke pritur në ankth votimin e publikut, duke mos patur asgjë në dorë.

Pikërisht juria që njeh më së miri tregun e shoubizit, e që në të vërtetë do duhej të kurorëzonte yllin e ri. A po paguhet kjo juri vetëm për konsum mediatik e për kakofoni televizive? Duket fare e qartë. Kjo sigurisht që bie ndesh me qëllimin e spektaklit. Sepse qëllimi i vërtetë i spektaklit na del të jetë tjetër. Kundërthënia. Se kundërthënia sot bën lajmin, jo vetëm në politikë, por edhe në art. Pikërisht aty ku gjërat janë të qarta, ku vlerat mund të preken, ku nuk ka nevojë për përmbysje sondazhesh. E në tërë këtë, lajmi mbi përmbysjen e parashikimeve përbën thashethemet, dhe rritjen e reagimit të masës e shikueshmërisë së spektaklit. Fitues mbetet, organizatori.

Edita dhe Ardiani

Edita muaj më parë e “vodhi” shoun. Ajo ishte e pakapshme për garuesit e tjerë. Juria, votuesit në internet, votuesit nga telefonatat dhe organizatorët ishin të gjithë në të njëjtat frekuenca. Edita fitoi. Një herë ndodhi. Pastaj, menjëherë pas saj vjen një supertalent tjetër. Pse të mos ndodhte sërish? E kishte kaq të vështirë një Gjermani tetëdhjetëmilionëshe të gëlltiste faktin se shqiptarët më në fund po shfaqen. Në art?! Se është e tepërt po të fitonte sërish, një shqiptar?! Për më tepër një talent i padiskutueshëm. Pyetje që mbase kurrë s’do t’ia dimë përgjigjen. Tani ka pak rëndësi.

Me rëndësi mbetet fakti që timbri artistik i shqiptarëve po kalon kufijtë e Ballkanit dhe mbase ata evropianë. Ardian Bujupi mbetet njëri prej tyre. Një paket-talent. Që nga cilësia moderne e vokalit, prezenca në skenë, atraktiviteti dhe paraqitja. Aura e tij skenike do të mbahet mend gjatëkohë. E që të gjithë e dinë se, ai ishte më i miri që pati kjo garë talentesh.

Ndërsa ne si publik qofshim në Gjermani apo jashtë saj, presim të shijojmë më pak art e më shumë përmbysje rezultatesh, sondazhesh. Vlerash të vërteta. Qoftë edhe përkohësisht.

“Wonderland”


 

"Wonderland"

Kush tha se “Wonderland” është vetëm një fiksion? Apo se duhet të shkosh në Amerikën e largët, atje ku arrihet nga hiçgjë, çdogjë. Gabim! Ja ku është Kosova, një wonderland. Vendi i mundësive dhe ëndrrave.

 Si të bëhesh milioner

Në një kuiz diturie? Me pesëdhjetë mijë euro? Apo me, punë punë natë e ditë? Jo. Harrojeni! Ka mënyra, mënyra. Të tjera. Kaloi tashmë një dekadë prej kur në Kosovë, nga mëngjesi në mbrëmje mbinë pasuritë, patundshmëritë. Dhe kurrë s’qe një sekret, një e paditur e madhe. Po. Ka një formulë për të arritur deri aty. Fare e thjeshtë. Mashtro. Keqpërdoro. Në emër të kësaj, asaj. Të bëmave, të dikurshme. Korruptohu. Kontrabando. Bëhu pjesë e skemave të mëdha. Të frikshme. Të milionave. 

Si të bëhesh VIP

Duhet të keni gjak blu, trashëgimi qindravjeçare pronash, zingjir hotelesh nëpër botë dhe… Prit! Ku jemi? Konfuzion! Qenkemi në Kosovë. Po. Nuk ka nevojë të kesh origjinë aristokrate. Mund të jesh kushdo, nga kudo. Me një kusht. Të jesh pjesë e skemave. Sërish, domosdoshmëri. Të kesh mungesë absolute talenti. Pranohet. I pashëm apo i shëmtuar. I gdhendur, pagdhendur. Me injorancën atribut kryesor të personës tuaj. Kalon! Të jesh në TV, si gazetar mesatar, apo nga ata që s’lexojnë dot as pas 10 vjet përvojë pune. Nuk ka gjë! Këngëtar me pak zë, pa zë fare. Mjafton të dalësh, në media. Pa arsye, me arsye. Mund edhe të vetëshpallesh, “vip”!

Si të bëhesh President

Gjindu në vendin e duhur, në kohën e duhur. Moralizo. Milionat, një aset më shumë. Shfrytëzo pazotësinë e politikanëve e partive të tyre. Kushtëzo. Dhe ja ku je, President! Apo. Rri në prapaskenë, ëndërro. Pa fushatë, pa sms, pa para, mbase. Thonë, rasti është mbret i botës. Një ditë të bukur, mund të rastis që lotaria presidenciale të të takojë, pa pritur e pakujtuar. E mbyllur në një zarf. Për shkak të inateve politike, një trysnie, eksperimenti apo thjesht nga fatum momentum, ju mund të jeni i përzgjedhuri i radhës. Bingo!

 Ku ka më mirë 

Në asnjë vend tjetër nuk shijohet jeta kështu. Trilleri politik, teatër i përditshëm. Nga një president milioner të thekur, në një presidente. Incognito. Mbijetesa, luksi i shfrenuar, sofra jonë. Shakaja, televizioni ynë. Monotonia dhe e papritura, në simbiozë. Kështu, vendi ynë sërish përbën lajm. Brenda e jashtë. Për keq apo mirë. Me rëndësi janë fjalët. Thashethemet. Herezia. Paradokset e bardha. Të zeza. Ngjyra-ngjyra. Me vrima lepujsh. Gjithandej. Se kështu e ka. 

Një wonderland!